Një politikan amerikan është arrestuar duke drejtuar makinën në gjendje të dehur. Ngjarja ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbrëmjen e Vitit të Ri. Republikani Brian Kolb, pjesë e Asamblesë së New York, u përfshi në një aksident dhe nga testi që iu bë rezultoi se kishte konsumuar alkool.

Vetëm një javë më parë, ai kishte shkruar një editorial në një gazetë lokale, ku këshillonte qytetarët që të mos drejtonin makinën në gjendje të dehur.

“Tragjedia mund të jetë një vendim i keq. Nuk ka asnjë justifikim për drejtim mjeti të pakujdesshëm”, shkruante ai, kur vetëm pak ditë më pas ishte 67-vjeçari që u arrestua pikërisht për këtë gjë.

“Ishte një gjykim i keq nga ana ime, ai për të cilin kam nxitur të tjerët që të mos e bëjnë, dhe unë mbaj përgjegjësi të plotë. Nuk ka asnjë justifikim për atë që ndodhi. Mora vendim të gabuar dhe jam thellësisht i penduar”, ka thënë politikani Brian Kolb në një deklaratë pas arrestimit.

Kieran Lalor, miku dhe kolegu i tij republikan, i bëri thirrje 67-vjeçarit që të jepë dorëheqjen pas kësaj ngjarje. /tvklan.al