Erion Alibej organizoi ekzekutimet e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt

Ky është Erion Alibej, 34-vjeçari që porositi dhe organizoi vrasjet Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt në Elbasan, sipas Prokurorisë. Alibej, i cili njihet edhe me emrat Andrea dhe Erion Dylgjeri, dyshohet se i porositi vrasjet për shkak të konflikteve mes grupeve të drogës.

Prokuroria e Elbasanit ka gjetur prova që përfshijnë 34-vjeçarin me dy vrasjet e ndodhura në muajin Korrik në qytetin e Elbasanit. Televizioni Klan mëson se Prokuroria po e heton edhe për vrasjen e Bujar Çelës, vëllain e Talo Çelës.

Erion Alibej është një emër i njohur për drejtësinë. Ai është vëllai i Indrit Alibejt, të ekzekutuar në Elbasan në Dhjetor të 2018-s.

Dy vëllezërit Alibej drejtonin një organizatë që merrej me trafikun e drogës në Itali dhe Holandë. Erioni Alibej ishte arrestuar në Itali pak vite më parë, si pjesë e këtij grupi dhe më pas është rikthyer sërish në Shqipëri.

Ai cilësohej si një person me rrezikshmëri të lartë dhe arrestimi është bërë nga forca të shumta policie. Erion Alibej ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për plagosjen e Xhoni Rustës, po në Elbasan.

Më 20 Korrik u ekzekutua Emiljano Ramazani në Elbasan, vetëm pak metra larg banesës së tij, ndërsa më 29 Korrik u vra Regis Runaj, pranë varrezave të Elbasanit.

Sipas Prokurorisë dhe Policisë, pas 3 vrasjeve në Elbasan të ndodhur muajt e fundit, qëndron 34-vjeçari Erion Alibej.

Tv Klan