Merrnin ryshfete nga farmacitë, u denoncuan në “STOP”

Policia arrestoi punonjësin e Agjencisë së Barnave, Luan Cici dhe shpalli në kërkim punonjësin tjetër Armando Luka për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Dy punonjësit u denoncuan të mërkurën në emisionin Stop në Tv Klan, nga një farmacist, i cili tregoi se si këta persona kishin shkuar në farmacinë e tij dhe i kishin thënë se kishin konstatuar disa shkelje për të cilat mund të gjobitej me 4 milionë lekë, por nëse i jepte atyre 1 milion çdo gjë ishte e mbyllur.

Sipas Prokurorisë së Tiranës këta persona ishin nën hetim në kuadër të një procedimi të regjistruar në vitin 2021 dhe video e fshehtë e emisionit, kishte ndihmuar hetimet në dokumentimin e shkeljeve.

Në një komunikim zyrtar, organi i akuzës thotë se këta shtetas në kundërshtim me ligjin gjithashtu favorizonin shitjen e mallrave kontrabandë dhe merrnin shuma që varionin  nga 30-50.000 lekë subjekteve private si shpërblim që të mos i ndëshkojnë me masa administrative.

Tv Klan