Një punonjës policie në Lezhë, me detyrë ndihmës specialist i policimit në komunitet, është ndaluar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat me urdhër të Prokurorisë. 62-vjeçari Kolë K. akuzohet për ngacmim seksual dhe se ka tentuar të kryejë marrëdhënie me një të mitur. Ngjarja ka ndodhur në datë 29 Prill në një banesë.

Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se punonjësi i policisë Kolë K. ka shfrytëzuar rastin që e mitura ka qenë e pashoqëruar nga persona madhorë, e duke keqpërdorur atributet që i jep detyra funksionale, nëpërmjet mashtrimit se do ta shoqëronte në Komisariatin e Policisë, e ka marrë të miturën në një banesë në qytetin e Lezhës që e kishte në përdorim.

Aty dyshohet se ka kryer vepra të turpshme, duke tentuar gjithashtu të kryejë marrëdhënie seksuale. Këto veprime janë kundërshtuar nga e mitura, e cila u largua me forcë nga banesa.

Nisur nga kallzimi i të miturës dhe nga verifikimet paraprake të Policisë Gjyqësore, që dokumentoi me prova shkencore rastin, si edhe duke siguruar pamje filmike, është arritur në konkluzionin se shtetasi punonjësi i policisë ka konsumuar elementë të veprës penale “Ngacmim seksual”. Hetimet vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti. /tvklan.al