Gjergji Cukali, i konsideruar si i “forti i rrugës Myslym Shyri”, është arrestuar përsëri nga Policia e Tiranës. Në një njoftim për mediat, policia bën me dije se 39-vjeçari u kap ditën e djeshme pasi kishte shkelur masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Cukali, i arrestuar në vitin 2016 për shitje kokaine të cilësisë së parë në kryeqytet, ishte lënë në arrest shtëpie nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Dje ai u gjet larg banesës së tij ku ishte i detyruar të qëndronte. 39-vjeçari ishte dënuar nga Gjykata për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, ndërsa tani akuzohet edhe për veprën penale të “largimit të të burgosurve nga vendi i qëndrimit”.

Gjergji Cukali është një person me precedent të mëparshëm penal, duke filluar nga pengmarrjet, armëmbajtjet pa leje dhe shpërndarje droge. Për herë të fundit ai u arrestua në Korrik të vitit 2016 së bashku me 16 persona të tjerë si pjesë e një rrjeti kriminal që shpërndante kokainë në Tiranë. Ky grup drejtohej pikërisht nga Cukali, dhe sipas policisë, fitimet e tyre shkonin në 50 mijë Euro në muaj. 

/tvklan.al