Vladimir Gjuta përfundon sërish nën pranga. 36-vjeçari që doli nga burgu pak ditë më parë pasi vuajti dënimin për armëmbajtje pa leje, është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij Ferit Gjuta, 78 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur në banesën e të atit, në qendër të Kamzës.

Pas dhunës, 78-vjeçari ka njoftuar policinë.

Në momentin që një patrullë e policisë ka vajtur në banesën e të dëmtuarit, Vladimir ka bërë rezistencë  ndaj strukturave të policisë.

Babai i tij ka pohuar në polici se është dhunuar nga i biri dhe herë të tjera.

Ndaj 78-vjeçari Ferit  Gjuta policia ka plotësuar kërkesë padinë “Për lëshimin e urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes”, në bazë të ligjit për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare.

Sipas policisë, duke shkuar në banesën e të atit, shtetasi Vladimir Gjuta ka shkelur edhe vendimin e datës 22 Prill 2016 të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Kukës, e cila kishte marrë masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Vladimir Gjuta u arrestua Qershorin e vitit të kaluar, nën akuzën si organizator i vendosjes së tritolit në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Por me 5 Maj u lirua nga burgu për mungesë provash.

Ai vuajti një dënim vetëm për armëmbajtje pa leje.

Tv Klan