Policia greke ka arrestuar 23-vjeçarin shqiptar dhe 21-vjeçarin sirian që u arratisën mbrëmjen e së hënës nga burgu i Avlonës në Greqi. Albiano Xhezairi u kap në lagjen “Omonia” të Athinës. Ai u identifikua në qendër të kryeqytetit grek pas kërkimeve intensive nga ana e autoriteteve.

Dy të burgosurit mundën të arratiseshin nga qelia në kushte të paqarta dhe të kapërcenin më pas murin rrethues të burgut.

Një oficere policie që po patrullonte në zonë jashtë perimetrit të burgut, qëlloi me armë në ajër kur pa të burgosurit që po largoheshin. Por, njëri prej tyre e goditi në fytyrë me sende të forta efektiven dhe më pas të dy u arratisën.

Kush është Albiano Xhezairi

Albiano Xhezairi është dënuar me 16 vite burgim në Greqi për trafik droge, pasi u arrestua në Athinë në muajin Maj 2017 si pjesë e një grupi kriminal. Roli i tij ishte të merrte dhe transportonte lëndën narkotike në kufirin shqiptaro-grek.

23-vjeçari Xhezairi është person i kërkuar edhe në Shqipëri. Ai akuzohet si pjesëmarrës në vrasjen e Aleksandër Bardhit, ngjarje e ndodhur më 24 Shtator 2016 në fshatin Shëndëlli të Sarandës. Lidhur me këtë krim, në atë kohë u arrestuan dy të rinj, ndërsa Albiano Xhezairi ishte shpallur në kërkim pasi nuk ishte kapur. Në banesën e tij policia gjeti 3 automatik model 56 dhe 3 karikatorë me fishekë, që pas ekzaminimeve laboratorike u provua se njëri prej tyre ishte përdorur për vrasjen e 47-vjeçarit Aleksandër Bardhi. Disa ditë para ekzekutimit të tij, 3 armët ishin përdorur për qitje në të njëjtin vend.

Në Dhjetor të vitit 2016, Albiano Xhezairit i vrasin babain. Agron Xhezairi u ekzekutua me breshëri arme në derën e banesës së tij në Ksamil. Dyshimet janë se ai u vra për hakmarrje, pasi djali i tij është i dyshuari kryesor për vrasjen e Aleksandër Bardhit.

Shtypi grek shkruan se 23-vjeçari shqiptar është pjesë e “Mafias së burgjeve”. Ai vuante dënimin në burgun e Koridhalos dhe dyshohej si pjesëmarrës në një vrasje brenda këtij burgu. Më pas u transferua në burgun e Avlonas pas episodeve që kishin ndodhur në Koridhalo.

Ndërkohë, Ministria greke e Drejtësisë ka nisur një hetim të brendshëm për të zbardhur rrethanat e arritjes nga qelia të dy të burgosurve. /tvklan.al