Policia greke ka arrestuar shqiptarin e dytë të arratisur nga dhoma e izolimit në komisariatin e Athinës në Petrou Ralli. Ai u arrestua pak para orës 18:00 sipas orës lokale të Greqisë. Autoritetet greke ranë në gjurmët e tij dhe e gjetën në qendrën e refugjatëve në zonën Votanikos.

Nuk bëhet me dije cili prej tyre është, por mediat greke shkruajnë se ai është 33 vjeç dhe ka qenë pjesë e një grindje masive vitin e kaluar në burgun e Koridhalos mes një grupi shqiptarësh dhe disa rusëve. Në kërkim mbeten edhe dy shqiptarë të tjerë të burgosur, nga 4 të tillë që u arratisën ditën e sotme. Mediat greke publikuan emrat dhe fotot e dy prej tyre, Endrit Bacaj dhe Alesio Xhelo.

Të katërt shqiptarët ishin sjellë nga burgu i Koridalosit, pas trazirave që ishin shënuar aty para disa ditësh. Ata vuanin dënime për grabitje dhe vrasje në tentativë. Pas arratisjes nga dhoma e izolimit, njëri prej tyre u arrestua pas një ore. Ndërkohë që po vazhdojnë kërkimet për kapjen e dy të tjerëve të mbetur në arrati. /tvklan.al