Pas 10 ditësh hetime, policia në Itali ka arritur të arrestojë një person për atentatin kundër 39-vjeçarit shqiptar në Asti. Mediat vendase bëjnë me dije se për atentatin kundër shqiptarit A.X. është arrestuar një tjetër shqiptar.

Autori është zbuluar pas kontrollit të kamerave të sigurisë në zonë, që kishin fiksuar momentin kur ai nga një makinë qëlloi kundër 39-vjeçarit.

Gilmond Metaliu, i arrestuari

Policët janë ndihmuar edhe nga dëshmia e personit që dërgoi në spital 39-vjeçarin, i cili deklaroi se kishte parë një makinë të zezë që ishte larguar nga vendi i ngjarjes pak pasi ishin dëgjuar të shtënat me armë.

Kjo dëshmi bëri që karabinierët të ngushtonin rrethin e grupit të makinave që u vëzhguan nga kamerat e sigurisë. Pas shumë orësh vëzhgime të materialeve filmime u zbulua dhe BMW X6 e zezë, makinë nga e cila u krye atentati.

Hetimet e mëvonshme zbuluan dhe pronarin e makinës, Gilmond Metaliu, 41 vjeç, me origjinë nga Shqipëria, i cili tashmë është në pranga dhe akuzohet për krime kundër personit, falsifikim dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë 39-vjeçari i plagosur është ende në gjendje të rëndë në spital dhe policia nuk ka mundur që t’i marrë dëshminë, pasi ai e ka të pamundur të flasë./tvklan.al