Policia greke ka arrestuar një shqiptar, i kërkuar që prej vitit 2016 si “truri” i një rrjeti kriminal të trafikut të kokainës. Ai u arrestua ditën e djeshme në një apartament në lagjen “Kalithea” të Athinës, pronar i një restoranti në Kolonaki. Shqiptari, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, ishte shpallur në kërkim që prej Shkurtit 2016, kohë kur u godit organizata e tij kriminale.

Në operacionin policor të zhvilluar para dy vitesh, u arrestuan 9 vetë gjithsej, pesë shqiptarë dhe katër grekë. Organizata e tyre ishte e ndarë në dy grupe, të cilët trafikonin drogë nga Shqipëria dhe e shisnin në Athinë. Koordinimin midis këtyre dy grupeve e bënte një shqiptar, personi që u arrestua së fundmi. Policia greke e kishte konsideruar atë si “trurin” e organizatës.

Gjatë aksionit në vitin 2016, autoritetet greke sekuestruan 21 kg hashash, 150 gr kokainë, një pistoletë, fishekë, 30 mijë Euro dhe peshore elektronike. Në dosjen hetimore të këtij rasti, janë të përfshirë më shumë se 50 emra, persona të cilët kanë pasur rol indirekt në trafikun e kësaj organizate apo bashkëpunëtorë.

/tvklan.al