Reperi Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit Stresi, është arrestuar të Premten në Tiranë sëbashku me një shokun e tij, pasi u kapën në flagrancë duke konsumuar kokainë në një lokal bastesh.

Sipas njoftimit të Policisë, 30-vjeçari Lushaj dhe 34 vjeçari Kujtim Pershpalaj u arrestuan, ndërsa tre persona të tjerë me iniciale A. V., J. B.  dhe L. P. u proceduan në gjendje të lirë.

5 të rinjtë u kapën në një lokal bastesh sportive në rrugën “Ali Pashë Gucia” duke konsumuar lëndë narkotike.

Policia sekuestroi një qese ambalazhi brenda të cilës kishte një sasi pluhuri me ngjyrë të bardhë, e dyshuar e llojit kokainë, një pjatë porcelani sipër të cilës kishte një sasi pluhuri me ngjyrë bardhë dhe dy karta karburanti.

Ata do të përballen në gjykatë me akuzat për “ Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike në formën e mbajtjes”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Moskallëzim krimi”./tvklan.al