Tiranë | Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Myslym Stafa, 37 vjeç, banues në Kombinat.

Sipas policisë “ditën e djeshme në rrugën “Hamdi Cenoimeri” në Kombinat, 37-vjeçari është kapur në flagrancë duke i vënë zjarrin shkurreve dhe pemëve halore, dhe për pasojë është djegur një sipërfaqe e madhe kodre me peme halore (pisha) dhe shkurre”.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Shkatrrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore./tvklan.al