Shumica dhe opozita kanë arritur dakordësinë për Amnistinë Penale dhe projektligji do t’i nënshtrohet votimit në seancën plenare të enjten.

Dakordësia është arritur pasi socialistët përveçse kanë pranuar propozimin e demokratëve për të përfituar nga amnistia protestuesit e kësaj force që janë të dënuar, janë në shërbim prove apo ende në proces gjyqësor, por te heqin dorë nga një prej neneve aq shumë i diskutuar, atë për uljen e dënimit për të dënuarit nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion. Po ashtu është rikthyer në projektligj dhe neni për të përjashtuar nga amnistia çdo zyrtar që është objekt i Inspektoratit të Kontrollit të Lartë të Pasurive.

“Ranë dakord me të gjitha propozimet tona apo me projektin tonë që kemi sjellë, mund të ketë axhustime të vogla”, tha Çuçi.

Si një nga nismëtaret kreu i grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi sqaroi dhe arsyet e propozimit për ngritjen e një komisioni të posaçëm që do të luftojë dezinformacionin apo çdo formë tjetër të sponsorizimit, financimit apo ndërhyrjeve të huaja në proceset demokratike të vendit tonë.

“Nuk është kontroll, është për të parë nëse ka shtigje ku akoma mund të depërtojnë vende të tilla”, tha ai.

Kjo strukturë e posaçme do të mund të bëjë propozime për ndryshime ligjore përmes të cilave do të sanksionohen apo do të kërkohet mbyllja e mediave qofshin ato tradicionale apo dhe portale e llogari individuale në rrjete sociale që vërtetohet se manipulojnë publikun për interes të segmenteve të huaja.

Tv Klan