Pas bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë, pala greke ka pranuar që të punojë gjatë gjithë natës së sotme në pikën kufitare të Kakavijës deri para orës 06:00 të mëngjesit të datës 16 Gusht, kur dhe hyjnë në fuqi rregullat e reja për të hyrë në shtetin fqinj.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila njofton se puna në doganën e Kakavijës do të vijojë edhe pas orës 22:00, ndryshe nga herët e tjera, kur kufiri mbyllej në këtë orë për shkak të rregullave anti-covid.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se pas bisedimeve të gjata me palën greke përgjatë këtyre ditëve, në nivelet më të larta me autoritetet e saj, është arritur mirëkuptimi që pika kufitare e Kakavijës të vijojë punën edhe pas orës 22:00. Kufiri do të qëndrojë i hapur vetëm përgjatë natës së sotme duke vijuar me të njëjtat ritme intensive të testimit dhe kalimit të shtetasve të mbetur në rradhë në Kakavijë, deri nesër, e diel, dt.16 gusht 2020, ora 22:00”, njofton Ministria.

Nga dita e nesërme, kushdo që hyn në Greqi do të karantinohet për 7 ditë. Ndërsa nga e hëna e 17 Gushtit, do të kalojnë vetëm 750 persona në ditë nga pika e Kakavijës, dhe 300 persona në ditë nga dogana e Kapshticës.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton të gjithë shtetasit se duke nisur nga nesër dt. 16 gusht 2020 për të gjithë ata shtetas të cilët hyjnë në Greqi do të zbatohet karantinimi i detyrueshëm 7 ditor. Gjithashtu, nisur që nga dita e hënë, dt. 17 gusht 2020, nga pika kufitare e Kakavijës do të kenë mundësi të kalojnë vetëm 750 persona në ditë, ndërsa nga ajo e Kapshticës vetëm 300 persona në ditë, në fashën orare 06:00 deri në orën 22:00, konform rregullave të vendosura nga pala greke, si pasojë e situatës së krijuar nga COVID-19”.

Ministria e Jashtme ka bërë të ditur edhe kushtet që duhet të plotësojnë personat të cilët lejohen të udhëtojnë drejt Greqisë.

“Të gjithë ata shtetas të cilët plotësojnë kriteret e vendosura për të udhëtuar drejt Greqisë (qytetarët me shtetësi greke, personat që kanë leje qëndrimi në Greqi, personat me kartë minoritari, personat që kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi, si dhe ata që e kanë të domosdoshme të udhëtojnë për arsye profesionale-pas marrjes së lejes së posaçme) nga dita e hënë, duhet të paraqesin në kufi edhe dokumentacionin sa më poshtë:

– Testin negativ të COVID-19 (RT-PCR), i cili duhet të jetë kryer deri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorët publike apo private të certifikuara në Shqipëri. Ky rregull nuk vlen për shoferët e kamionëve që transportojnë mallra dhe fëmijët nën 10 vjeç.
– Vërtetimin diagnozë të përkthyer në anglisht, në të cilin duhet të jenë të shënuara emri, mbiemri dhe numri i pasaportës/numri i kartës së identitetit të individit.
– Vërtetimin e plotësimit të formularit të posaçëm PLF, me kodin QR (nga adresa elektronike https://travel.gov.gr).

Nënvizojmë se testi i COVID-19 (RT-PCR) është i vlefshëm vetëm nga laboratoret e linçesuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilat mund ti gjeni në faqen zyrtare: https://shendetesia.gov.al/mbi-njohjen-e-strukturave-jopublike-per-kryerjen-e-testit-rt-pcr/ “. /tvklan.al