Është arritur marrëveshja mes naftëtarëve dhe qeverisë. Në mbledhjen e dytë mes përfaqësuesve të sindikatës së naftëtarëve dhe kryeministrit Edi Rama është vendosur që punonjësve të rafinerisë së Ballshit t’u jepet një pagë për një periudhë 1-vjeçare.

Kryeministri njoftoi se në këtë pagë do të jenë të përfshira edhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore pasi bëhet  fjalë për një grup punonjësish që meritojnë vëmendje të veçantë për shkak të punës së specializuar që bëjnë. Nga marrëveshja përfitojnë 870 naftëtarë.

“Ky është një nga ato momente ku privilegji për të shërbyer në këtë detyrë ndihet i gjithi dhe e ndjej me shumë kënaqësi që çka kemi vënë në dispozicion të 870 naftëtarëve punonjës dhe punonjëse të rafinerisë është pritur me shumë pozitivitet nga ana e tyre. Natyrisht që në këtë kohë kaq të vështirë kur duhet të kalkulojmë çdo ditë si asnjëherë më parë në eksperiencën time për të qenë largpamës sepse jemi në kushtet e një paparashikueshmërie për shkak të Covidit nuk është e lehtë, por ne jemi të bindur se kemi bërë gjënë e duhur, duke vendosur një pagë 55 mijë lekë bruto dhe 40 mijë lekë neto për 12 muaj në mënyrë që këta njerëz të kenë sigurime të plota shoqërore dhe shëndetësore dhe të kenë garancinë e një page mjaft të arsyeshme duke marrë parasysh edhe situatën e vështirë që kanë kaluar”, tha Rama.

Të kënaqur nga kjo marrëveshje dolën edhe naftëtarët.

“Me zgjidhjen e dytë që marrim sot jemi të kënaqur”, tha Sokol Dautaj, përfaqësues i naftëtarëve.

Kryeministri u pyet edhe për punën që po bëhet për të gjetur një kompani tjetër që të rinisë puna në rafinerinë e Ballshit. Kreu i qeverisë tha se po vazhdohen negociatat me 3 kompani të rëndësishme. Megjithatë koha sipas tij, duke marrë shkas nga pandemia, është shumë e vështirë për të arritur në përfundime. Edhe pse nuk vuri afate ai tha se së shpejti rafineria do të rindizet.

“Jemi në kontakt me 3 kompani të rëndësishme, por koha ku jetojmë është problem që e kemi hasur. Nuk mund të vë afate, por në një kohë të arsyeshme rafineria do të rindizet”./tvklan.al