Holanda dhe Danimarka do t’i japin Ukrainës dhjetëra avionë

Avionët amerikanë F-16 do të mbrojnë qiellin e Ukrainës. Mjetet do t’i jepen Kievit nga Holanda dhe Danimarka, pasi të plotësohen kushtet teknike, trajnimi i pilotëve dhe inxhinierëve ukrainas.

Kryeministri holandez Mark Rutte tha pas takimit me Zelensky-n se Holanda ka gjithsej 42 avionë F-16 në dispozicion, por tani është shumë herët të thuhet nëse do të dhurohen të gjitha mjetet. Kjo do të realizohet sipas kryeministrit Rutte në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë, pasi të jenë plotësuar kushtet për një transferim të tillë.

Zelenskiy nuk e përmendi numrin e saktë të avionëve, por e quajti marrëveshjen “përparimtare” e cila sipas tij do të ndihmojë në forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe do të ndihmojë kundërsulmimin e saj. Pas Holandës, Zelenskiy vizitoi edhe Danimarkën, ku së bashku me kryeministren daneze Mette Frederiksen vizituan një bazë ushtarake, teksa u ulën edhe në kabinën e një avioni luftarak F-16.

Tv Klan