Pas katër ditësh intensive bisedimesh mes aktorëve politikë të mazhorancës dhe opozitës, si dhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, është arritur tashmë një marrëveshje për Reformën Zgjedhore.

Mësohet se sa i takon pikës për depolitizimin e administratës Zgjedhore, palët janë dakordësuar për të mos aplikuar formula të reja, por në zgjedhje do të procedohet me po të njëjtën formulë si në zgjedhjet e mëparshme.

Ndërkaq një tjetër pike e cila ka mbajtur pezull këtë marrëveshje, kërkesa e panegociueshme e PD-së për identifikim biometrik të votuesve, është pranuar nga mazhoranca.

Në një deklaratë për mediat, Oerd Bylykbashi nën përfaqësimin e PD, u shpreh se qeveria tentoi që të kapte Komisionet Zgjedhore, por pasi nuk ia doli, u tërhoq.

“Sot u arrit një marrëveshje. Identifikim biometrik në masë 100% dhe riformatim i Komisionit të Zgjedhjeve. Administrata Zgjedhore do të bëhet siç është sot dhe kjo formulë do të aplikohet pas këtyre zgjedhjeve. U përpoq që të kapte Komisionet Zgjedhore, nuk ia arriti dhe u tërhoq”.

Nga pala e PS, Damian Gjiknuri u shpreh se lajmi i mirë është arritja e marrëveshjes dhe se zgjedhjet nuk do të mbahen peng.

Por për Gjiknurin e rëndësishme është që PD hoqi dorë nga pretendimet që ai i cilësoi absurde.

“Pavarësisht se rekomandimi i OSBE/ODIHR ka qenë që administrata të ishte e depolitizuar dhe qëllimi i PS ishte që këtë ta çonte para, fatkeqësisht PD nuk ishte gati, por tashmë kemi rregulla të pranuara nga gjithësecili. PD hoqi dorë nga kërkesat absurde, si qeveri teknike apo tranzitore, për menaxhimin e zgjedhjeve u pranua që administrimi zgjedhor nuk ka çaluar”.

Fjalën e saj e mbajti edhe përfaqësuesja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari. Ajo tha se për këtë Reformë duheshin përfshirë edhe elementë të tjerë, si ndryshimi i sistemit, kërkesë e saj në Këshillin Politik.

“Kjo është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Që kjo të mundësohej duhej që të kishte një kompromis për gjërat që po bënim. Nuk ka qenë një gjë e lehtë sepse që kjo gjë të quhej Reformë duhet të kishte edhe elementë të tjerë. Duhej që të shpreheshim edhe për sistemin zgjedhor dhe nuk pati kompromis. Ajo që mund të them sot është se minimalisht nëse do isha vetëm unë ajo që do e bllokonte këtë marrëveshje, do dukej sikur unë nuk e dua rrugën e BE-së. Ajo që është e dukshme është që opozita ka qëndruar në parlament për t’ia shtruar rrugën Shqipërisë qoftë për Reformën Zgjedhore, atë në drejtësi apo të tjerat që të mos kemi ngecje. Në Shqipëri nuk ka thjesht dëmtim të procesit të zgjedhje, ka edhe dëmtim të demokracisë. Sot e dimë që PS, mazhoranca, e ka kapur pushtetin dhe e trajton plaçkë të vet. Jam e bindur që shumë njerëz kur kanë parë sa e drejtë është kjo kauzë. Sot mora garancinë nga ambasada amerikane, delegacioni i Be-së këtu se bisedimi për ndryshimin e sistemit do të vazhdojë. Do të vijojmë të flasim për ligjin e referendumeve. E fundit dhe e rëndësishme është vota e diasporës”.

Marrëveshja për “Zgjedhoren”, reagojnë Rama dhe Basha

Dy liderët e partive më të mëdha politike në Shqipëri reaguan në rrjetet sociale pasi mes palëve u arrit një marrëveshje për Reformën Zgjedhore.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se sot është hedhur një hap përpara për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

“Sot kemi hedhur një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. PD dhe opozita e bashkuar është e gatshme dhe po punon përditë për t’ua kthyer qeverisjen shqiptarëve. Në emër të opozitës së bashkuar ju shpreh falenderimet tona aleatëve dhe partnerëve tanë euro-atlantikë për ndihmën dhe kontributin e tyre për gjetjen e dakordësisë për administrimin zgjedhor”, tha Basha.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Twitter tha se kjo marrëveshje u arrit pas 3 vjetësh marshim dhe 3 netësh ngujim të opozitës. Për Ramën e rëndësishme është që Basha të hyjë në zgjedhje.

“Pas 3 vjetësh marshim e 3 netësh ngujim na sollën fjalën e fundit: “Mirë e kishim ashtu siç e kishim”Po mirë, unë kam menduar e mendoj që ka edhe më mirë, po meqë LBPD janë të kënaqur me kaq për zgjedhjet e ardhshme, bujrum,si ta duan ata. Rëndësi ka që: LBPD do hyjë në zgjedhje me Kodin Zgjedhor siç e deshën vetë. ODHIR është dakord që kjo nuk e cënon lirinë e zgjedhjeve BE është e kënaqur,Shqipëria s’ka më pikëpyetje në prag të vendimit për datën e nisjes zyrtare të negociatave. Ah po, mbaroi edhe revolucioni”, shkruan Rama.

Kim dhe Soreca flasin pas arritjes së marrëveshjes: Jemi krenarë

Pas arritjes së marrëveshjes për Reformën Zgjedhore mes palëve politike, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka dhënë një mesazh para mediave duke thënë ndër të tjera se SHBA është krenare dhe se do të vijojë ta mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt BE.

Kim tha se të gjitha palët që kanë qenë në këtë tryezë, diskutim i cili ka zgjatur për orë të tëra, kanë hequr dorë apo kanë dhënë diçka, për të arritur në këtë marrëveshje që është për të mirën e Shqipërisë.

“Jemi shumë të lumtur që Këshilli Politik arriti një marrëveshje sot, në sajë të orëve të gjata të punës së dhënë nga të gjithë ata që kanë qenë në tryezë. Çdo kush ka kontribuar shumë në diskutim, por edhe kanë hequr dorë apo kanë dhënë diçka, dhe e kanë bërë këtë që Shqipëria të fitojë.

Dikush do ta kritikojë këtë marrëveshje si jo të mjaftueshme, por po ta shikojmë në një kuadër të gjerë kjo është një gjë për të cilën shpresoj në mbështetjen e të gjithëve. SHBA është krenare për këtë marrëveshje dhe do t’ju mbështesim në rrugën europiane”.

Ndërkaq ambasadori i BE-së, Luigi Soreca deklaroi se opozita kërkoi të rishikonte depolitizimin e administratës zgjedhore, diçka që u pranua nga mazhoranca.

Marrëveshja e sotme sipas tij ka afruar Shqipërinë me BE-në.

“Mazhoranca e pranoi marrëveshjen dhe kjo është ajo që u arrit. Shqipëria është më afër BE-së pas kësaj marrëveshje. Një nga kushtet për çeljen e negociatave të aderimit do të përmbushet së shpejti. Kjo vjen dhe në momentin e duhur pasi javën që vjen KE do të vendosë kuadrin negociator.

Po ashtu edhe komisioneri Oliver Varhelyi ka përgëzuar palët për arritjen e marrëveshjes.

“Marrëveshja e sotme e arritur nga palët politike për Reformën Zgjedhore në Shqipëri është një arritje e madhe. Përzemërsisht i përgëzoj të gjitha palët që përmes këtij procesi gjithëpërfshirës plotësuan kërkesat e Këshillit Europian”  

Arrihet marrëveshja për “Zgjedhoren”, Meta: Lajm pozitiv, por jo i mjaftueshëm

Pas arritjes së marrëveshjes nga palët politike për Reformën Zgjedhore, ka reaguar presidenti i vendit Ilir Meta.

Meta ka përgëzuar Këshillin Politik për dakordësimin, por shprehet se edhe pse një lajm i gëzuar, nuk është i mjaftueshëm për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta përgëzon Këshillin Politik për konsensusin e sapoarritur për Reformën Zgjedhore. Ky është një lajm pozitiv, por jo i mjaftueshëm për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Kultura e konsensusit duhet të vazhdojë edhe për kushtet e tjera për të përshpejtuar çeljen e negociatave. Falenderime edhe partnerëve tanë europianë për durimin e tyre! Falenderim të veçantë edhe për SHBA dhe Britaninë e Madhe që mbështesin të ardhmen europiane të Shqipërisë!”./tvklan.al