Dakordësi për të gjitha pikat e mbetura pezull

Këshilli Politik ia doli të përmbyllë ligjin e ri elektoral, pas javësh të tëra negociatash që u pasuan nga një marrëveshje e dakordësuar në 5 Qershor nga diplomatët e huaj në Tiranë.

Palët përmbyllën një ndër çështjet më të debatuara, atë për formulën e re të përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në të tre nivelet e tij, duke pranuar propozimin e tretë të mbërritur në tryezë nga opozita.

“U la që përzgjedhja të bëhet në Kuvend, ku opozita do të ketë një të dërguar të saj që të bëjë përzgjedhjen. Ai do të ketë të drejtën e përjashtimit apo përzgjedhjes në një grup personash. Plotësuam kërkesat që kishte opozita për ato garanci që kanë ekzistuar në ligjin aktual”, tha Gjiknuri.

Për opozitën, dakordësia është një hap drejt depolitizimit të KQZ-së.

“U pranua propozimi i tretë i opozitës në lidhje me KQZ-në, duke siguruar garancitë që procesi për ngritjen e KQZ-së do të bëjë të mundur të mos kemi një organ me persona të emëruar politikisht. Opozita bëri të mundur që qeveria të mos ketë mundësi të prekë administrimin e zgjedhjeve. Me mbledhjen e sotme, Kodi Zgjedhor do të ketë garanci shtesë që vota e shqiptarëve të mos tjetërsohet”, u shpreh Bylykbashi.

Sipas formulës së re, opozita do të ketë një përfaqësues të saj në Komisionin Parlamentar Ad Hoc, i cili do të ketë të drejtën e zgjedhjes dhe përjashtimit të kandidatëve.

Në Kodin e ri Elektoral, që do t’i dërgohet për votim Komisionit të Posaçëm të Reformës e më pas Kuvendit brenda datës 30 Qershor, adresim gjeti edhe çështja e votës së emigrantëve.

Tv Klan