Gjatë 7 viteve të qeverisjes si Kryeministër, Edi Rama ka hapur edhe ekspozita të pikturave të tij në disa vende të botës, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një intervistë ndryshe për emisionin Opinion në Tv Klan, Rama është pyetur drejtpërdrejt nga gazetari Blendi Fevziu, nëse për të ekspozuar pikturat ka ndikuar posti i tij si Kryeministër.

Në këtë aspekt, shefi i qeverisë rrëfeu bisedën që ka bërë me një artiste të njohur ndërkombëtare, e cila ka galeri artesh në Nju Jork.

Blendi Fevziu: Në fillimet tuaja, ju keni pasur ambicie për të pasur një karrierë artistike, si piktor, si artist. Ndërkohë që duket se kulmet tuaja si artist i keni arritur gjatë kohës që jeni Kryeministër. Në këtë rast, është Kryeministri që ndihmon artistin? Apo është e kundërta?

Kryeministri Edi Rama: Ja kam bërë këtë pyetje vetë unë personalisht Marian Goodmanit, që është po themi “hyjnesha” e galerive të artit bashkëkohor në botë sot, pasi mora një email prej saj për të hapur një ekspozitë në galerinë e saj në Nju Jork. Edhe fillimisht mendova që ishte dikush që tallej, se Marian Goodman është “Meka” e… Dhe s’pata guxim t’i ktheja përgjigje, sepse thashë me siguri ka shumë gjasë që po tallet dikush. S’ka mundësi që Marian Goodman të më shkruajë mua. Pastaj mora Anri Salën, i thashë më gjej një mundësi të pyesësh të interesohesh tek galeria e Marian Goodman nëse ekziston kjo dëshirë apo kjo është një tallje. Mori dhe tha është ajo personalisht. Dhe kur kam vajtur në Amerikë, jam ulur me të, dhe i thashë ‘më hiq një kuriozitet të madh që kam’. Ti më ekspozon mua sepse unë jam Kryeministër, apo se të intereson arti im për ta ekspozuar në këtë galeri? E para, tha, unë kam një ish-President që merret me piktura. Është marrë me pikturë dhe kur ishte President nuk më ka shkuar mendja që t’i bëj një ekspozitë. Pra, nuk nisem nga fakti që ti je Kryeministër që të të bëj ekspozitë. Nisem nga arti yt që më intereson. Por, pa dyshim që ky art unë ekspozoj i bërë nga një njeri që është edhe person publik dhe që ka një rol të tillë, nuk është diçka që mund të ndahet. I thashë, ‘po më pas kur unë…’? Kjo është pjesë e historisë tënde, tha, kjo nuk ka rëndësi. Por ajo që unë ekspozoj, është arti yt, nuk të ekspozoj ty si person. Por sigurisht këto janë gjëra që nuk ndahen dot nga njëra-tjetra.

Blendi Fevziu: Por si shpjegohet, mbaj mend ekspozitën tuaj të parë si ministër Kulture në vitin 2000 pas një periudhe, që çmimet u ngritën menjëherë të punëve tuaja?

Kryeministri Rama: Nuk janë ngritur çmimet menjëherë. Ajo që ka ndodhur, është në tregun e zi, qarkullojnë një sërë punësh të mia. Për fat të keq, është vjedhur studio e tim eti, shumë vite më parë, edhe ka punë të tijat dhe të miat që qarkullojnë në një treg të zi të çuditshëm këtu. Dhe unë kam parë dhe punë të asaj kohe të miat, që më thonë që shiten e blihen këtu në të zezë, që unë s’kam asnjë kontakt, shiten e blihen me çmime që janë edhe më të larta se punët e mia sot. Kjo ka ardhur si rezultat i një sërë koncidencash. Unë asnjëherë nuk kam menduar që duke bërë vizatimet në zyrë, po bëj art. Në kuptimin që do çoj në ekspozitë. Pastaj, e gjitha është zhvilluar në një zinxhir koincidencash, edhe faktikisht sot është ekspozuar dhe ekspozohet në mënyrë të vazhdueshme. /tvklan.al