Emisioni “Stop” në Tv Klan ka trajtuar mbrëmjen e sotme historinë e Ledion Caca, i cili qëndron prej 9 muajsh në arrest shtëpie për vendosje tritoli në një parukeri në Nikël.

Në pjesën e parë të emisionit, “Stop” solli pamjet e sigurisë së një karburanti që tregojnë se Ledioni ndodhej në një lokal nate në Shkozet të Durrësit në momentin kur ndodhi shpërthimi me eksploziv. Ledion Caca thotë se nuk ka gisht në këtë ngjarje dhe kërkon pafajësi, bazuar në pamjet filmike të karburantit.

Këto prova, prokuroria nuk i ka marrë parasysh. Xhaxhai i Ledionit, z.Qazim Caca, takoi prokurorin e çështjes, Florian Bonjaku, i cili është i ri në këtë dosje. Xhaxhai i Ledionit interesohet për ecurinë e çështjes së nipit të tij, ndërsa prokurori i kërkon që të dërgojë kërkesë me shkrim. Deri në këtë moment, reagimi i prokurorit është korrekt, por në bisedë e sipër i thotë familjarit të të akuzuarit se nipin mund t’ja dërgojë nga arresti i shtëpisë në burg.  

Denoncuesi: O zoti Prokuror! Si kalove? Desha me të pyt për çështjen e nipit, që kam pas për gjykim, domethënë gjojash për tritol është, që 6 muaj arrest shtëpie. U bë gjyqi edhe në gjykatë të Apelit dhe e kanë lënë prapë në fuqi. U bënë gati 8 muaj, 2 muaj burg, 6 muaj i bëri kështu…

Prokurori Florian Bonjaku: Kush është ky?

Denoncuesi: Ledio Caca!

Prokurori Florian Bonjaku: Ledio Caca e kam unë…?

Denoncuesi: Po!

Prokurori Florian Bonjaku: Çfarë është Ledio Caca të lutem! Ma thuaj pak, seee…

Denoncuesi: U arrestua gjoja për tritolvënie. A kupton? U bë gjyq d.m.th, shkoi në gjykatë të Apelit, doli me arrest shtëpie. Bëri 2 muaj brënda në burg, tani u bë 6 muaj e ca, gati 7 muaj po bën arrest shtëpie dhe s’po dimë tani, çfarë…

Prokurori Florian Bonjaku: S’ka mbaruar akoma.

Denoncuesi: Po sa e kanë ato? Unë e di, që 3 muaj domethënë, është kjo pjesa e kësaj o burrë…?!

Prokurori Florian Bonjaku: Tani hajde ti në vendin tim edhe…!

Denoncuesi: Po s’du me hy atje unë, po ta kam llafin, që…

Prokurori Florian Bonjaku: Do ta çoj në burg prapë…

Denoncuesi: Po jo mo, nuk është puna me e cu në burg. E kupton? Sepse pamjet filmike, e ke parasysh, ne sollëm…

Prokurori Florian Bonjaku: Ke pas mundësi 2 muaj me…

Denoncuesi: Po i sollëm ato pamjet filmike të gjitha mor burrë, të vendngjarjes domethënë, që ku ka qënë tani …! S’po dimë tani a jo. E ke parasysh…?

Prokurori Florian Bonjaku: Po pate ndonjë gjë kërkesë me shkrim, në prokurori, dhe të kthej përgjigje…!

Mesa duket, organi i akuzës duhet të marrë parasysh në dosje pamjet filmike të karburantit në Shkozet, ku duket Ledion Caca në orën 01:00 të natës në 16 Gusht 2019, në të njëjtën ditë dhe orë të ngjarjes së tritolit në Nikël. /tvklan.al