Ashtu siç fshehu për 2 vjet me radhë vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit, që u bë shkak që një aksident rrugor të përfundonte me dy fëmijë të vdekur, Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika fsheh edhe dokumentacionin e rrugës në të cilën ndodhi ky fatalitet.

“Me 9 maj, Televizioni Klan i’u drejtua me një shkresë zyrtare Autoritetit Rrugor Shqiptar, përmes së cilës kërkonte informacion mbi rrugën Plepa – Rrogozhinë. Ne e pyetëm titullarin Dashamir Xhika, përse mungonin barrierat metalike mbrojtëse, cila ishte aryseja që barrierat nuk u vendosen përpara karburantit ku ndodhi aksidenti, a ka lidhje fshehja e vendimit të formës së prerë të Gjykatës për vendosjen e barrierave dhe moszbatimi i tij me karburantin, a është pajisur kjo rrugë me elementë të sigurisë, a është marrë në dorëzim ajo nga Autoriteti Rrugor Shqiptar pas përfundimit të punimeve dhe cilat janë kriteret e marrjes në dorëzim? Por, Autoriteti Rrugor nuk u përgjigjet asnjërës nga këto pyetje me interes publik, që shërbejnë për të hedhur dritë mbi një skandal me punët publike në dëm të sigurisë rrugore dhe kthen një përgjigje nëpërmjet të cilës tenton të fshehë skandalin që ka shpërthyer pas aksidentit, që çoi në pranga tre drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar.”

Në vend të përgjigjes për një ngjarje me dy të vrarë, që sipas Prokurorisë së Kavajës nuk do të kishte pëefunduar e tillë nëse Autoriteti Rrugor Shqiptar do të kishte respektuar vendimin e formës së prerë të Gjykatës dhe ligjet, Drejtori Dashamir Xhika shkruan se politika, puna dhe mundi i tij është përqëndruar në standardizimin e elementëve të sigurisë.

Ai refuzon të përgjigjet përse nuk i vendosi parmakët mbrojtës, siç kishte urdhëruar Gjykata e Apelit, por thotë se investimet në tre vitet e fundit që kapin vlerën e 3.2 milardë lekëve kanë përmirësuar sinjalistikën dhe kanë rritur sigurinë rrugore.

Dashamir Xhika nuk shpjegon se si e ka marrë Autoriteti Rrugor Shqiptar në dorëzim një rrugë pa standarde sigurie, por thotë se nuk mund të mohohet puna e mirë që është bërë deri tani dhe që do të vazhdojë të bëhet edhe në të ardhmen.

Kjo tentative e Drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar për të fshehur dokumentacionin e kërkuar, sipas ligjit për të drejtën e informimit, e rëndon edhe më tepër pozitën e tij. Televizioni Klan zbuloi edhe një dokument që e implikon drejtpërdrejt Dashamir Xhikën në cënimin e sigurisë rrugore në vendin ku ndodhi aksidenti me dy fëmijë të vdekur. Në Gusht të vitit 2014, një muaj pasi Gjykata Administrative e Apelit i kishte dhënë të drejtë Autoritetit Rrugor Shqiptar për të vendosur parmakët metalike në vendin e aksidentit, Dashamir Xhika urdhëron me një shkresë firmën kontraktore që të mos i vendosë ato, duke i’u referuar një vendimi të dhënë në vitin 2011 të Gjykatës së Kavajës, që e kishte humbur fuqinë e tij, pasi çështja kishte shkuar në Apel. Edhe kjo shkresë është tashmë në dosjen e Prokurorisë së Kavajës, hetimet e së cilës kanë çuar deri tani në pranga tre drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Tv Klan