ARRSH gati të lidhë kontratën për nënkalimin “Shqiponja”

Posta

ARRSH gati të lidhë kontratën për nënkalimin “Shqiponja”

15:45 28/10/2019

Shpallet njoftimi i fituesit në Agjencinë e Prokurimit Publik

34 ditë pas vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë njoftimin e shpalljes së fituesit, për të lidhur kontratën me kompaninë fituese, për të realizuar punimet e nënkalimit “Shqiponja” në Unazën e Madhe.

Komisioni detyroi ARRSH në vendimin e datës 24 shtator, që njoftimi i kompanisë fituese dhe lidhja e kontratës të bëheshin brenda 10 ditësh kalendarike, por Autoriteti Rrugor e ka dërguar shkresën në Agjencinë e Prokurimit Publik më datë 17 tetor, ndërsa agjencia e ka publikuar këtë të hënë.

Procedura e njoftimit të shpalljes së fituesit, i hap rrugë nisjes së punimeve për të ndërtuar lotin e parë të Unazës së Madhe, nga Rrethrrotullimi Shqiponja te Pallati me Shigjeta, projekt i cili kishte nisur ndërtimin, një vit më parë.

Tenderi i parë për këtë lot, ku projekti parashikonte ndërtimin e një mbikalimi u anulua për shkak të skandalit që ndodhi me firmën DH-Albania, e cila kishte dorëzuar gjatë prokurimit dokumente të falsifikuara.

Herën e dytë, gara u anullua pasi të 6 ofertuesit u skualifikuan, ndërsa procedura e hapur në qershor të këtij viti u ankimua nga dy kompani në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili vendosi të rrëzojë fituesin e ARRSH-së “Vëllezërit Hysa” dhe të shpallë fituese kompaninë “Salillari”.

Nënkalimi në këtë pjesë të Unazës do të kushtojë 1.77 miliard lekë, nga 2.25 miliard lekë që ishte fondi limit. Oferta e kësaj kompanie ishte e dyta më e ulët, ndërsa interesi në garën e tretë ishte i lartë, pasi morrën pjesë 8 shoqëri.

Tv Klan


OTP
Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
AZHBR
UKT
Grupi
UKT