Autoriteti Rrugor Shqiptar kallëzon penalisht në Prokurorinë e Tiranës kompaninë “DH Albania”. ARRSH kërkon hetimin e kësaj shoqërie për dy vepra penale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve dhe mashtrimin.

Autoriteti Rrugor pranon në shkresën dërguar prokurorisë se kompania është themeluar në datën 25 Qershor të vitit 2018, disa muaj përpara shpalljes së tenderit për lotin e parë të Unazës së Madhe, me vlere 18 milionë Euro, ku dhe është shpallur fituese. Por ARRSH nënvizon se dokumentet e paraqitura nga kjo firmë kanë qenë të falsifikuara.

“Këto veprime –

nënvizon ARRSH –

dëmtojnë imazhin e insitucionit tonë dhe buxhetin e shtetit”.

Po ashtu, Autoriteti Rrugor Shqiptar i ka nisur një shkresë Agjencisë së Prokurimit Publik për të përjashtuar nga tenderat bashkimin e kompanive “Biba X” dhe “DH Albania” dhe pritet të shpallë së shpejti rihapjen e tenderit për lotin e parë të Unazës së Madhe.

Përmes dokumenteve të falsifikuara, “DH Albania” ka fituar edhe tenderin prej 12 milionë Eurosh të Operatorit të Sistemit të Transemtimit për linjen 220 kilovolt Burrel – Peshkopi, procedurë kjo e anuluar dhe tenderi është rihapur këtë të mërkurë.

Pritet që edhe OST të dorëzoje në Prokurori dokumentacionin për tenderin e fituar nga “DH Albania”. Si ARRSH ashtu edhe OST kanë dërguar zyrtarisht kërkesën për të vjelur garancinë e kontratës të lënë nga “DH Albania”, vlera e të cilës arrin në afro 4 milionë Euro.

Kjo garanci vlen për të dy tenderat që kanë një vlerë prej 30 milionë Eurosh. Zëri i Amerikës raportoi të martën se ka dyshime të forta që pas kompanisë “DH Albania” fshihet biznesmeni i njohur Bashkim Ulaj.

Sipas Zërit të Amerikës, para një muaji përfaqësuesi i firmës “DH Albania”, 26-vjeçari Avdiol Dobi e ka transferuar adresën e tij në kullën “ABA Business Center”, në pronësi të zotit Ulaj, me të cilin ka lidhje familjare.

Po ashtu, Zëri i Amerikës bën edhe një lidhje tjetër mes kompanisë ‘Gener 2’ të Ulajt me skandalin e tenderit të lotit të parë të Unazës së Madhe, duke thënë se bilanci i kompanisë ‘Dunwell Haberman’, i dorëzuar në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve, rezulton të jetë përkthyer nga zonja Shenda Kruja, e cila nuk figuron në listën e përkthyesve zyrtarë, të miratuar nga Ministria e Drejtësisë dhe rezulton në rrjetet sociale si specialiste pranë kompanisë ‘GENER 2’. Kompania ‘Gener 2’ e Ulajt është bërë se fundmi edhe pronare e televizionit A2, që ka ekskluzivitetin e rrjetit CNN në Shqipëri.

Kontrata e “DH Albania” po hetohet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi kjo kompani rezulton se ka falsifikuar edhe nje certifikatë të Sekretari të Shtetit të Delaware, që vërtetonte se ajo nuk kishte detyrime fiskale.

Në Shqipëri, Prokuroria po heton edhe për akuzat për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Tv Klan