Drejtuesit e 5 institucioneve, Autoritetit Rrugor, Bashkisë së Tiranës, Inspektoratit Ndërtimor, Hipotekës dhe ALUIZNI-t kanë dhënë detaje mbi projektin e Unazës së Madhe të Tiranës, në prag të ndërhyrjes nga shkolla teknologjike te Sheshi “Shqiponja”. Prej disa ditësh banorët e kësaj zone po protestojnë, por kreu i ARRSH-së Afrim Qëndro sqaroi se deri më tani janë bërë verifikimet dhe identifikimet paraprake të objekteve që preken nga projekti.

“Në total janë 317 objekte që preken nga projekti i Unazës së Madhe, prej të cilave 163 në proces legalizimi dhe do të skualifikohen nga ALUIZNI, si dhe 123 objekte janë me vërtetim pronësie.”

Të gjitha objektet e kësaj zone do të verifikohen, por ato që ndodhen në gjurmën e projektit do të shemben. Por banorët që skualifikohen nga procesi i legalizimit dhe nuk kanë dokumente pronësie, Bashkia Tiranë do t’i trajtojë me një nga programet e mbështetjes për banesë.

“Çdo person që ka një dokument hipotekor për banesën apo biznesin e tij do të marrë shpërblimin sipas ligjit. Të gjitha ato familje që janë në proces legalizimi, Bashkia do t’i trajtojë me programet me mbështetjet për banesë, me procedurë të posaçme me bonusin e qirasë, të paktën për një periudhë 1 vjeçare”.

Për këtë çështje është ngritur një grup i posaçëm pune edhe në Hipotekën e Tiranës me juristë dhe hartografë për t’iu përgjigjur qytetarëve që kërkojnë informacion për pronat që preken nga projekti. Unaza e Madhe e Tiranës do të ketë një gjatësi prej 27 kilometrash, me një kosto totale prej 26.5 miliardë lekësh.

Tv Klan