Xhaka shënon në ‘pokerin’ ndaj Palace, Saka vendos rekord personal

Arsenal hedh një tjetër hap drejt titullit kampion në Premier League angleze. Londinezët shkatërruan me poker golash 4-1 Crystal Palace në një përballje spektakolare dhe që prodhoi shumë emocione.

Martinelli hapi llogaritë për të dërguar në delir tifozët e pranishëm në “Emirates Stadium”. Për të dyfishuar mendoi i talentuari Bukayo Saka, autor i një dopiete në këtë duel.

Në pjesën e dytë kishte vend edhe për golin e kapitenit të “topçinjve”, Granit Xhaka. Mesfushori shqiptar ndërtoi aksionin dhe më pas shënoi për 3-0.

Palace arriti që të ngushtojë diferencat në rezultatin me një gol të Schlupp. Ai që vulosi shifrat përfundimtare në 4-1 ishte Saka, i cili shënoi golin numër 13 këtë sezon, 12 prej të cilëve në kampionat, duke qënë edhe sezoni më rezultativ për të në karrierë.

Kjo ishte fitorja e 22 në Premier League për Arsenalin, aq sa sezonin e shkuar, teksa numëron 8 pikë më shumë se City ndjekës, që ka një ndeshje më shumë për të luajtur.

Klan News