Gjykata e Tiranës ka shpallur të pafajshëm Fatjon Muratin për çështjen e arsenalit të armëve. Lajmin e ka bërë të ditur gazetarja e Klan News Glidona Daci. Ajo bën me dije po ashtu se për këtë bazë armësh është dënuar me 7 vite e 6 muaj burg  Kristjan Gjini, ndërsa Françeska Kolgjegja ka marrë dënimin e 90 orëve punë në interes publik.

Kujtojmë se arsenali i armëve u zbulua më 13 Korrik të vitit të shkuar. 25-vjeçari Kristjan Gjini, asokohe u arrestua pasi lëvizte me pistoletë e pas kontrollit në dy banesat e tij u gjendën një sërë armësh. Në këto banesa të marra me qira prej të riut banonte dhe e dashura e tij Kolgjegja.

Policia gjeti në dy ambientet e marra me qira 4 pistoleta, 2 automatike, 4 silenciatorë, 7 maska, 2 radio si ato të Policisë, një thikë, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis sativa, fishekë të kalibrave të ndryshëm, dorashka, krehra, dokumente të dyshuara të falsifikuara, targa të huaja dhe 2 automjetet.

 Nga ana tjetër, Murati edhe pse i shpallur i pafajshëm për këtë çështje ndodhet në arrati pasi ka thyer masën e arrestit në shtëpi./tvklan.al