Idrizi: Në institutin tonë kemi 20 nxënës në dy klasat e 10-ta

Pas shumë vitesh diskutime këtë vit shkollor është bërë realitet hapja e shkollës së mesme për nxënësit që nuk dëgjojnë. Drejtorja e Institutit, Orjola Idrizi tregon se janë dy klasa të 10 që ofrojnë arsimim për këtë kategori.

“Është risi dhe gëzim për të gjithë stafin, por në mënyrë të veçantë për fëmijët, për nxënësit që nuk dëgjojnë. Këtë vit kanë mundësi të ndjekin dhe arsimin e mesëm dhe të lartë me orientim teknologjik dhe Tik për nxënësit që nuk dëgjojnë. Nxënësit që vijojnë momentalisht në arsimin e mesëm dhe të lartë janë 20 nxënës dhe janë të ndarë në dy klasa të 10-ta”, është shprehur Drejtoresha e Institutit të Nxënësve Orjola Idrizi.

Këta nxënës të shkollës së mesme kanë mundësinë që të marrin dije të përgjithshme po ashtu edhe ato të formimit profesional

“Këtu kemi laboratore profesionale që bëjnë të mundur mëismin e moduleve profesionale, pra paralelisht ecën edhe formimi i tyre i përgjithshëm edhe formimi i tyre profesional. Kemi një laborator shumë të mirë të rrobaqepësisë, një laborator shumë të mirë të parukerisë dhe berberinës, kemi laboratorin e zdruktharisë. Marrin njohuri shumë të mjaftueshme, pastaj janë gati për t’u lançuar në tregun e punës”, është shprehur Idrizi.

Sa i përket ciklit 9-vjeçar të Institutit të Nxënësve që nuk dëgjojnë, aktualisht nga klasa e pare deri në të nëntën zhvillojnë mësim 79 nxënës nga gjithë Shqipëria.

Klan News