“Bashkëqeverisja e shqiptarëve me VMRO-DPMNE, me kosto”

Ndërsa vazhdojnë tentativat për krijimin e mazhorancës parlamentare, analisti politik, Petar Arsovski shpreh bindjen se pavarësisht dallimeve, LSDM-ja e Zoran Zaevit dhe Bashkimi Demokratik i Ali Ahmetit kanë më shumë gjasë për arritjen e marrëveshjes për ekzekutivin e ri. 

“Për momentin më me interes janë negociatat ndërmjet LSDM-së dhe BDI-së për shkak se ato kanë më shumë gjasë për marrëveshje. Dy partitë nisin nga pozicione goxha të ndryshme nga fushata që u manifestuan me tone tensionuese dhe nuk duhet pritur se marrëveshjen do të arrijnë kollaj. Kombinimet e tjera janë më pak të sigurta për shkak se kjo e para do të ishte më e qëndrueshme, por kujtoj se nuk do të arrihet shpejt”. 

I pyetur se në rast të marrëveshjes eventuale LSDM-BDI, cili ka për të qenë kompromisi, Arsovski shprehet se shtizat do të puqen rreth postit të kryeministrit për çka dallimet e dy palëve janë serioze.

“Mendoj se, nëse i dëgjojmë paralajmërimet nëpër media, shtizat do të kthehen rreth pozicionit të kryeministrit dhe këtu ka për t’u kërkuar kompromisi. Pozicionet e të dyja partive janë tepër të ngurta: Gjatë fushatës LSDM-ja pohonte se nuk do të bëjë koalicion me BDI-në, BDI-ja kërkonte kryeministër shqiptar. Të shohim nëse të dyja partitë a do të mund të tërhiqen nga pozicionet fillestare që u manifestuan edhe gjatë kontakteve të para. Nëse ia dalin të gjejnë zgjidhje kompromisi, ky ka për të qenë koalicioni më i qëndrueshëm me këta numra të mundshëm në parlament”.

Duke komentuar skenarin e dytë sipas të cilit shumica parlamentare mund të krijohet edhe nga VMRO-DPMNE-ja dhe partitë shqiptare, Arsovski thotë se matematikisht një gjë e tillë është e mundshme, por partitë politike shqiptare që do të hynin në këtë qeveri do të paguanin një çmim të lartë politik.

“Duke pasur parasysh se VMRO-DPMNE nuk pranon kryeministrin shqiptar dhe ky është pozicioni i tyre publik. Kjo parti ka qëndrime më të ngurta për korpusin e çështjeve shqiptare sesa Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë. Ky kombinacion do të ishte rrugëdalja e fundit, përkatësisht se partitë shqiptare do ta bënin këtë vetëm nëse nuk do të kishin zgjidhje tjetër”..

Njohësit e rrethanave politike në vend thonë se në afrim-pajtimin e forcave politike për krijimin e shumicës parlamentare edhe kësaj radhe roli i faktorit ndërkombëtar ka për të qenë tepër i rëndësishëm.

“Faktori Ndërkombëtar është i interesuar për tri punë: Së pari, koalicioni qeverisës të bëhet shpejt për rivendosjen e shpejt të institucioneve. Së dyti që ai të jetë mundësisht sa më i qëndrueshëm për shkak se aktualisht po përballemi me shumë sfida dhe së treti që të vazhdojë kursin drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, nënvizon Arsovski duke shprehur bindjen se ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar mund të pritet vetëm në rast të rrezikimit të këtyre tri shtyllave. 

Tv Klan