Ekspertët e gjumit zbulojnë arsyet që e bëjnë një person që të zgjohet gjatë natës dhe japin këshillat e tyre si t’ia bëni për t’u kthyer në anën tjetër dhe për të bërë sërish gjumë të thellë. Sipas një vëzhgimi global mbi gjumin, 67 përqind e të rriturve në të gjithë botën thonë se zgjohen të paktën një herë gjatë natës. E përditshmja britanike The Sun, sjell faktorët sipas ekspertëve, që çojnë në prishjen e gjumit të natës.

Stili i jetesës: Teksa rritemi, gjumi bëhet më i lehtë. Terry Cralle, eksperte e gjumit thotë se të rriturit kanë tendencën që të bëjnë më pak gjumë të thellë, për pasojë zgjohen më shpesh në gjysmë të natës. Gjithashtu, tek gjumi mund të ndikojë edhe dieta ushqimore. Alkooli mund t’ju ndihmojë që t’ju zërë gjumi më shpejt, por gjysmën e dytë të natës do t’ju bëjë të bëni gjumë jo të qetë. Shtatzënia është gjithashtu një periudhë kur gjumi ndërpritet shpesh për shkak të ndryshimeve hormonale, urinimi, ankthit dhe parehatisë për shkak të barkut që rritet. 

Shëndeti: Sipas ekspertëve, njerëzit zgjohen gjatë natës për shumë arsye potenciale, por disa janë shumë të zakonshme. Në mesin e këtyre arsyeve janë pagjumësia dhe apnea obstruktive e gjumit, që karakterizohet nga ndërprerje të përsëritura të frymëmarrjes dhe kjo mund të bëjë që personi që zgjohet në gjysmë të natës. Këto lloj shqetësimesh janë të rëndësishme të kontrollohen nga mjeku, pasi mund të çojnë në disa probleme të shëndetit si hipertensioni, sëmundjet e zemrës, goditjet në tru e diabeti.

Stresi: Zgjimi gjatë natës mund të vijë për shkak të stresit dhe shqetësimit.

Ushtrojeni trurin që të flini sërish gjumë: Ekspertët nuk këshillojnë që të shihni orën në përpjekje për t’ju zënë gjumi sërish. Sipas tyre nuk duhet të mbani pranë orën, as telefonin nëse ju del gjumi. Kjo pasi kur e kontrolloni orën gjatë natës, në mënyrë të pashmangshme përllogarisni sa kohë keni ndenjur zgjuar dhe sa kohë ju ka mbetur për të fjetur. Kjo çon lehtësisht në gjendje stresi dhe ankthi dhe e bën të vështirë që t’ju zërë sërish gjumi./tvklan.al