Leku po nis gjatë dy javëve të fundit një forcim të konsiderueshëm në tregun e këmbimit valutor vendas, duke zhvlerësuar me rreth 0.7% Euron. Aktualisht një Euro këmbehet me 122.6 Lekë, por gjatë ditëve të fundit janë dobësuar edhe valutat e tjera si Dollari amerikan dhe Paundi britanik.

Ekspertët e ekonomisë thonë se luhatjet në kursin e këmbimit të kësaj periudhe i dedikohen më së shumti faktorëve sezonalë, siç është fillimi i sezonit turistik, ku ka prurje më të mëdha të monedhave të huaja dhe shtim të kërkesës për Lek.

Banka e Shqipërisë thotë se gjatë kësaj periudhe nuk ka patur asnjë anomali në tregun e këmbimit valutor, ndërsa forcimi i lekut i dedikohet faktorëve sezonalë: hyrja në periudhën e verës dhe konvertimi i shumave që bëjnë bizneset çdo fundmuaji.

 “Forcimi i Lekut ka ardhur me një volatilitet mesatar dhe mund të jetë nxitur nga vlerësimet e pjesëmarrësve të tregut për fillimin e sezonalitetit të favorshëm të lekut në periudhën e verës. Oferta e valutës nga bizneset, në periudhën 15-21 Maj 2019, sikurse ndodh zakonisht rreth datës 20 të çdo muaji, ka qenë më e lartë se kërkesa për valutë, duke bërë forcimin e lekut disi më të shpejtë dhe hezitimin e pjesëmarrësve për të blerë valutë.”

Ekspertët thonë se tashmë tregu po përballet me një ekuilibër të ri të monedhës europiane, e ndikuar sa nga faktorët strukturorë të ekonomisë, aq edhe nga ata informalë.

Gjatë muajit Maj monedha europiane është dobësuar përballë Dollarit edhe në tregjet ndërkombëtare, duke arritur në nivelin më të ulët të 6 muajve të fundit.

Tv Klan