KJV:Institucionet vonojnë përgjigjet, ndryshimi i ligjit cënon punën verifikuese

Procesi i vlerësimit kalimtar të punonjësve të policisë, gardës dhe SHCBA-së është përfshirë në një ngërç, ndaj seancat vijojnë me ritëm të ngadaltë.

Seanca e parë është mbajtur në nëntor të 2019-ës, ndërsa duhet të kishte përfunduar vlerësimi për gradat e larta. Prej nisjes së procesit, ligji për Vettingun në polici ka ndryshuar 3 herë, ndërsa deputetët kanë propozuar të rishikohet sërish ligji.

Të kontaktuar nga Klan News, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit rendit disa arsye pse është zvarritur procesi dhe janë tejkaluar afatet.

Sipas komisionit që kryen filtrimin e efektivëve, problemet kanë nisur që në nisje të procesit, me dëmtimin e godinës nga tërmeti i 26 nëntorit, për të vijuar më pas me pezullimin e procesit për shkak të pandemisë.

Për shkak të dëmtimit të godinës, ka qenë e pamundur që të administrohen informacionet e klasifikuara sekret, pasi dokumentacioni duhet të administrohej në ambiente me kasafortë sigurie.

Shkak për vonesën është bërë raporti për kontrollin e figurës, që për vettingun në drejtësi është i gatshëm ndërsa komisioni shprehet se është dashur të bëjnë verifikimet vetë.

E njëjta problematikë është konstatuar dhe me raportet e ILDKPKI-së për deklarimin e pasurisë, të cilat nuk janë të vazhdueshme për policinë. Shumë institucione sipas Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit nuk e kanë kuptuar rëndësinë e procesit, ndërsa është dashur që të kërkohet informacion për tre herë radhazi.

Një ngërc tjetër institucional është krijuar për KJV-në pas ndryshimit të VKM-së për miratimin e tarifave të shërbimeve kadastrale. Sipas këtij udhëzimi të qeverisë, zyrat kadastrale nuk operojnë më pa pagesë, ndërsa komisioni nuk ka një buxhet të posaçem.

Pengesë për procesin janë bërë dhe prokuroritë e rretheve që vonojnë në kthimin e përgjigjeve. Një vonesë tjetër është edhe testi i psikologut që deri më tani ka funksionuar sipas një marrëveshje institucionale me psikologë të licencuar, por tashmë mund të kryhet vetëm nëpërmjet pagesës që duhet ta mbulojë Ministria e Brendshme.

Propozimin e deputetëve për të pezulluar procesin për gradat policore dhe për të vijuar me SHCBA-në, KJV e konsideron si cenim të punës së tyre, të procesit të rregullt ligjore dhe sigurinë juridike.

Të pyetur për afatin kur mund të përfundojë si proces, KJV shprehet se me propozimet e reja nuk mund të parashikohet, ndërsa komisionit i nevojitet një jurist që të bëjë përfaqësimin në gjyqe, dy protokollistë për të përballuar fluksin e korrespondencave një person të dedikuar për marrëdhëniet me mediat, si dhe një punonjës IT.

Deri tani KJV ka përfunduar procesin e vlerësimit kalimtar për 38 subjekte, të cilët u përkasin posteve më të larta drejtuese në organigramën e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHCBA.

Klan News