Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme Arta Marku dorëzoi pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë kandidaturën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Arta Marku qëndron në krye të Prokurorisë prej 19 Dhjetorit të 2017, pas përfundimit të mandatit të Adriatik Llallës. Marku u votua në parlament vetëm nga mazhoranca, pasi opozita e atëhershme e kundërshtoi zgjidhjen e saj në këtë post.

Arta Marku është diplomuar për drejtësi dhe për disa vite me radhë ka qenë pjesë e një sërë trajnimesh për sistemin e drejtësisë në Shtetet e Bashkuara dhe Europë. Pasi ka kryer stazhin për 2 vite në Prokurorinë e Fierit, Marku ka ushtruar funksionin si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Shkodrës për 15 vite.

Marku iu nështrua edhe procesit të Vettingut në Korrik të vitit të kaluar duke e kaluar me sukses. Nga 19 Marsi kur u hap edhe gara në Këshllin e Lartë të Prokurorisë janë dorëzuar edhe katër kandidatura. Kështu në garë për të fituar postin e kreut të akuzës janë Fatjona Memçaj, e cila është prokurore e Apelit në Tiranë, Olsion Çela prokuror te Krimet e Rënda, si dhe avokati Lulëzim Alushaj.

Afati i fundit i aplikimeve për kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm është data 30 Prill. Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjedh 3 kandidatë për kryeprokuror në bazë të kritereve dhe më pas listën ia kalon Parlamentit për votim. Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë njërin prej tre kandidaturave brenda 30 ditëve, atëherë zgjidhet automatikisht ai që është i pari në listë. Prokurori i ri i përhershëm do të ketë mandat 7-vjeçar dhe kandidatët duhet të kenë kaluar Vettingun, të jenë diplomuar në shkollën e Magjistraturës ose të kenë doktoraturë si dhe të kenë 15 vite pune në sistemin e drejtësisë.

Tv Klan