Kryeprokurorja Arta Marku ishte e pranishmë në analizën vjetore në qytetin e Korçës. Edhe në këtë takim Marku foli sërish për drogën dhe tha se duhet vazhduar hetimet, edhe pse deri më tani është bërë një punë e mirë.

“Përkrahim hetime më të thelluara në luftën kundër drogës, ku megjithë suksesin e arritur, e bën të domosdoshme që prokuroria të mos mbetet vetëm me goditjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike, por të identifikojë dhe vendosë përpara përgjegjësisë penale grosistët, grupet që financojnë dhe organizojnë kultivimin e lëndëve narkotike, trafikimin etj”.

Kryeprokurorja tha se mbështet fuqimisht prokurorët për të identifikuar shkelje të ligjit dhe regjistrimin e veprave penale kryesisht sidomos në mënyrën e ushtrimit të pushtetit nga nëpunësit publikë; nëse ushtrimi i pushtetit është në interes publik apo përdoret nga nëpunësit si një formë për të nxjerrë përfitime të paligjshme të çdo lloji.

“Nxisim analiza të përbashkëta me organet tatimore dhe doganore për të identifikuar shkelje të ligjit në këto fusha nëse ka, pasi siç del nga raporti për vitin 2017 ka vetëm një kallëzim nga këto organe”,

tha kryeprokurorja Marku.

/tvklan.al