Analisti Artan Hoxha ka kritikuar rolin e ministrave të Qeverisë Rama, duke thënë se po ngjajnë më shumë me nëpunësa të zakonshëm të shtetit.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ku po diskutohej se sa të njohur janë nga publiku ministrat shqiptarë, Artan Hoxha theksoi se anëtarët e kabinetit qeveritar nuk po ushtrojnë rolin e tyre të mirëfilltë kushtetues.

Një pjesë të tyre i njohim dhe individualisht dhe personalisht, një pjesë të tyre i njohim dhe publikisht për shkak të aktivitetit të mëparshëm politik. Disa prej tyre janë bërë të njohur në publik për shkak të postit të ministrit. Asnjëri prej tyre nuk ka të sharë në kuptimin e shkollimit që ka bërë, të karrierës profesionale, të aftësive dhe komunikuese. Janë individë mëse të mbarë. Çështja është se të gjithë shfaqin një defekt shumë të madh. Ata kanë pranuar të jenë shumë më pak se sa ministra sipas konceptit kushtetues të rolit të ministrit. Nuk bëjmë fjalë më për ministra të mirëfilltë që kanë përgjegjësi publike dhe një peshë të rëndësishme, por janë ca nëpunësa të zakonshëm shteti”, u shpreh analisti Artan Hoxha. /tvklan.al