“Ka patur takime të Sandër Lleshajt me familjarët të viktimave”

Një ditë më parë, policia i ka kërkuar prokurorisë që të rihapë hetimet për dosjen e 21 Janarit të vitit 2011, kur 4 protestues mbetën të vrarë në bulevard.

Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar përse kjo kërkesë u bë një ditë përpara përvjetorit të 21 Janarit. I ftuar në emisionin Opinion, ai tha se kjo kërkesë e bërë në këtë datë, i jep prokurorisë afat edhe 10 vite të tjera për hetimin e ngjarjes.

“Idea është e tillë që nëse nuk rihapej çështja deri në datën 21 Janar të këtij viti, atëherë rrezikonte që të parashkruhej se 10 vjet është parashkrimi. Në qoftë se deri sot kjo çështje nuk do të rihapej, atëherë parashkruhej dhe nuk kishte më mundësi për ta kryer hetimin. Këtë që ka bërë policia, i ka dhënë dhe një afat 10-vjeçar hetimit të çështjes, nga dje kemi dhe 10 vjet në dispozicion për të hetuar 21 Janarin. Me sa di unë, është kërkuar që çështjen ta hetojë SPAK, jo Prokuroria e Tiranës, për shkak edhe të dyshimeve apo akuzave që janë ngritur dhe do të jetë mundësia që të shkohet edhe më larg për të parë kush janë organizatorët, urdhëruesit, pra për ta zgjeruar atë pjesën e hetimit”.

Sipas gazetarit Artan Hoxha, rihetimi i dosjes së 21 Janarit ka qenë më shumë një kërkesë e familjarëve të viktimave. Dhe për këtë ka patur disa takime të bëra mes familjarëve dhe ish-ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë muajve të parë të pandemisë.

Në datën 28 Shkurt të vitit të kaluar, dy prokurorët e çështjes e kanë pezulluar dhe ja kanë kthyer policisë me motivacinin se nuk ka autor për vrasjen e Aleks Nikës. Ndërkohë gjatë kësaj kohe ka patur dhe disa takime që me sa di unë ka qenë ministri Lleshaj i cili ka marrë përsipër. Ai ishte dhe drejtues politik në atë kohë i qarkut të Lezhës dhe Aleks Nika vjen nga zona e Lezhës. Në ato takime kanë marrë pjesë oficerë të policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit, familjarë. Takimet janë bërë nga Maji dhe mbrapa gjatë pandemisë. Janë bërë 3 takime të paktën. Familjarët e Aleks Nikës këmbëngulnin që çështja duhet të rihapet dhe kërkonin drejtësi. Familjarët e Aleks Nikës nuk e kanë pranuar shpërblimin që u është dhënë familjarëve të viktimës. Vërtetë është një dosje voluminoze, por gjatë kqyrjes  u pa që në dosje kishte probleme, ka patur probleme me provat që janë gjetur në vendin e ngjarjes”. /tvklan.al