Gazetari Artan Hoxha ka publikuar këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” pamjet se si pjesëtarë të një strukture për mbrojtjen e votës në Partinë Demokratike lëviznin në Elbasan me furgona para vrasjes së Pjerin Xhuvanit. Gazetari i kronikës së zezë është shprehur se përplasja që ndodhi sot në Elbasan është ajo që ndodh mes grupeve poshtë shtabeve elektorale.

Ai u shpreh se gjithsej nga ana e Partisë Demokratike kanë qenë 10-12 persona, ish-ushtarakë dhe ish-pjesëtarë të policisë për të siguruar sipas demokratëve mbrojtjen e votave.

“Këtu jemi para ngjarjes. Është furgoni i parë, furgoni i dytë dhe furgoni i tretë. Të paktën nga 10-12 veta gjithsej. Janë ish-ushtarakë, ish-pjesëtarë të forcave të policisë. Është lëvizje tipike se janë të trajnuar për këtë gjë”.

Hoxha tregoi se arma me të cilën është vrarë Pjerin Xhuvani është me leje. “Është qëlluar me një Glock 19. Arma që mban RENEA”.

Gazetari u shpreh se furgonët e PD-së kanë dalë me në terren me objektivin për të kapur militantë të palës tjetër që kanë qenë duke mbledhur kartat e ID-së së qytetarëve. Sipas tij, këta përfaqësues të PD-së kanë ndaluar një Mercedes Benz. Në këtë moment ata i kanë kërkuar shoferit që të tregojë çfarë ka me vete, por kanë hasur refuzimin e tij. Më pas, kjo strukturë e PD-së ka kërkuar që të ndalojë aty derisa të vijë policia.

Hoxha tha se para se në zonë të vinin mbështetësit e Partisë Socialiste kanë qenë të paktën 15 efektivë policie. Hoxha u shpreh se Pjerin Xhuvani nuk ka qenë i armatosur në momentin e vrasjes. Sipas tij në vrasje janë përdorur 3-4 pistoleta.

“Ka qenë një shkëmbim zjarri në prani të policisë. Kam dyshime që ka qëlluar edhe policia”, tha Hoxha./tvklan.al