Qëndrimi i Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare të BE-së vazhdon të jetë i ndryshëm sa i përket integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky ishte komenti i analistit Artan Hoxha, përmes një interviste të dhënë për Klan News.

Hoxha foli rreth vizitës se Ramës në Bruksel duke thënë se edhe këtë radhë u përsërit i njëjti skenar i viteve të kaluara.

“Unë pashë që u përsërit i njëjti skenar si në vitet e kaluara, që pritet dhe përcillet Kryeministri i Shqipërise. Në vend të pakësojë detyrat, ai i shton vit pas viti dhe na i shton ditët kur do të nisin këto negociata. Vihet re që vijon diferenca mes qëndrimit të Komisionit Evropian, burkoracisë së Brukselit dhe qëndrimit të vendeve anëtare ku një pjesë e mirë e të cilave janë skeptike deri kritike me zhvillimet në Shqipëri, ndaj nuk shoh asgjë të ndryshme, ndonëse edhe vjet edhe parvjet Kryeministri ka festuar çeljen e negociatave, gjë që nuk ka ndodhur.”

Sa i përket paktit të nënshkruar mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, Hoxha u ndal tek qëndrimi i Ramës duke thënë se ai është nervoz për këtë pakt sepse nuk po arrin dhe nuk do të arrijë të shkaktojë një konflikt mes PD dhe LSI.

“Kryerilindasi nuk po bën gjë tjetër veç injekton helm dhe vrerë brenda opozitës, në raport me PD dhe LSI, sepse ai kësaj gjëje i pa hajrin në zgjedhjet e 2017. Kur konflikti më i madh ishte mes LSI dhe PD për absurd, e kur duhet të ishte në mes opozitës demokrate dhe forcës kryesore qeverisëse që ishte Rilindja. U përmbys rendi i gjërave në 2017 dhe Edi Rama fitoi një mandat të dytë”.

Ndër të tjera Hoxha foli për zgjedhjen e kandidatëve  dhe kërkesën e Brukselit për lista të pastra duke thënë se Kryeministrit të Shqipërisë iu tërhoq veshi nga Brukseli për këtë çështje.

Klan News