“I dështuar”. Është vota që i kanë dhënë artistët, Festivalit të 55 të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Ky edicion që ishte një përvjetor dhe që përfaqëson kulturën kombëtare, dhe jo thjesht një garë mes këngëtarësh, si asnjëherë tjetër, shkaktoi reagime të forta, jo vetëm të publikut të thjeshtë por edhe profesionistëve të muzikës.

Ndër zërat e revoltuar është edhe ai i tenorit të skenave të njohura të Evropës, Agim Hushi.

Si një këngëtar karriere i muzikës klasike, kritika kryesore e Agim Hushit, shkon për konkurrentët dhe materialet muzikore, ku me gjithë dëshirën e mirë për të mirëkuptuar peshën e një skene të madhe si Festivali i RTSHS-së, asnjë këngë nuk të mbeste në mendje.

Për të aktori Kasëm Hoxha dhe këngëtarja Ledina Çelo, për tenorin, përbënin një dyshe të paaftë për të përcjellë mesazhet e këngëve dhe vetë festivalit.

Kritik ndaj regjisë televizive, fonisë, dhe skenografisë, në analizën e Agim Hushit, me edicionin e 55 është eksperimentuar.

Dhe i gjithë ky eksperiment ka kushtuar një shumë marramendëse. Edhe pse nuk është deklaruar zyrtarisht, Televizioni Klan mësoi se janë shpenzuar 500 milionë lekë të vjetra, të ardhura të cilat vijnë nga taksapaguesit shqiptar./ TV KLAN