Kur Rusia nisi agresionin në Kiev, artisti ukrainas Volodymyr Manzhos e gjeti veten në një dilemë të madhe. Pyetja që mundonte vazhdimisht Manzhos ishte nëse veprat e tij të artit, do të ishin akoma te rëndësishme gjatë luftës.

“Mendova se të jesh artist gjatë luftës është e papërshtatshme dhe e panevojshme. Por përfundimisht, kuptova se njerëzit inteligjentë në Ukrainë e dinë se kultura është gjithmonë e rëndësishme, veçanërisht tani, gjatë luftës.”

Për më shumë se dy javë, Manzhos pikturoi pa u ndalur muralin e tij që është një vlerësim për punën e bërë nga shërbimi i inteligjencës ushtarake ukrainase. Vepra e artit shumëngjyreshe në qendër të Kievit ka në fokus një buf, simbol i shërbimit të inteligjencës ushtarake ukrainase, dron dhe kryqëzorin rus të raketave Moskva. Sipas Manzhos, ngjyrat e muralit që tregojnë një qiell të verdhë të kombinuar me detin blu të errët i referohen ngjyrës blu dhe të verdhë të flamurit ukrainas dhe lë të kuptohet se ngjarjet po ndodhin në Detin e Zi.

“Arti im është shumë larg nga realiteti. Realiteti mund të jetë shumë mizor. Punimet e mia mund te shërbejnë si një terapi shërimi për artistët dhe ata që e duan artin. Njeriu mund ta ndiejë luftën kudo, çdo ditë”.

Puna e fundit e Manzhos është e katërta në serinë e muraleve të kohës së luftës të quajtur “Koha për ndryshim”. E para është pikturuar në Indi në vitin 2014 kur Rusia pushtoi rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut dhe aneksoi Krimenë. Që atëherë, artisti ka krijuar dy murale të tjera, të dyja në qendër të Kievit.

“Nuk e di se cili do të jetë rezultati, di vetëm se çfarë do të doja të shihja. Dua që muralet për kalvarin e Ukrainës dhe popullit ukrainas të përfundojne dhe kjo vepër arti të ishte e fundit. Unë dua që vepra e ardhshme artistike të jetë për fitoren dhe paqen”.

Muralet e artistit Manzhos mund të gjenden në Gjermani, Kanada, Francë, Poloni, Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera. Në vitin 2024, ai krijoi edhe një instalacion arti për vitrinat e dyqaneve “Hermes” në aeroportin ndërkombëtar të Osakës.

Klan News