Të paprekshëm nga Covid,  nuk janë as fëmijët, madje disa prej tyre kanë shfaqur edhe komplikacione. Sipas të dhënave të Shërbimit Pediatrik në QSUT të shtruar janë 4 fëmijë. Dy prej tyre të moshave 6 dhe 8 vjeç, të cilët janë konfirmuar prej më shumë se një javë me Covid-19.

Për shkak se këta fëmijë kanë sëmundje bashkëshoqëruese kanë shfaqur komplikacione, por gjendja e tyre sipas mjekëve pediatër është e stabilizuar.

Ndërkohë që në pritje të përgjigjeve të testit, ditën e sotme janë edhe dy fëmijë të tjerë të cilat janë paraqitur në pediatri ditën e djeshme, me temperaturë dhe vështirësi në frymëmarrje, një rreth 4 vjeç, ndërsa vogëlushi tjetër ende nuk ka bërë 2 vjeç.

Një foshnjë 18-muajshe është dërguar nga Qendra Kombëtre e Urgjencës pas mesnate në Urgjencën Pediatrike, pasi ishte me temperaturë të lartë dhe ka shfaqur konvulksione.

Sipas mjekëve, gjasat janë që fëmija të jetë i infektuar, pasi prindërit e tij ishin pozitivë me Covid-19, por nuk kanë shfaqur asnjë shenjë klinike.

Sipas mjekëve pediatër, fëmijët nuk janë imunë nga Covid-19. Madje ata që kanë probleme mjekësore, neurologjike, gjenetike, metabolike, ose që kanë sëmundje të lindura të zemrës, mund të rrezikojnë më shumë për të patur komplikacione të rëndë nga COVID-19, në krahasim me fëmijët e tjerë.

Ata apelojnë për kujdes maksimal, edhe për fëmijët. Shpesh herë sipas tyre prindërit alarmohen, pasi çdo simptomë e lidhin me koronavirusin, por në këtë periudhë ka edhe viroza stinore apo infeksione të tjera baketerologjike, të cilat mund të shkaktojnë temperaturë apo edhe diarre.

Klan Plus