Gazetari dhe drejtuesi i emisionit Opinion në Tv Klan, Blendi Fevziu ndodhet në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku zhvillohet Sesioni i 77 i Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në një lidhje direkte për edicionin informativ të Tv Klan, Fevziu foli për pikat kryesore të diskutimit të OKB-së dhe për rëndësinë e këtij sesioni që vjen pas pandemisë dhe i pari kur ka filluar agresioni rus në Ukrainë.

Në mbrëmje, Fevziu do të ketë në intervistë në Opinion Kryeministrin shqiptar Edi Rama, të cilin do ta pyesë për çështje gjeopolitike që është dhe fokusi i Asamblesë së OKB, por edhe për problematika të brendshme të Shqipërisë.

Reis Çiço: Pas 2 vjet pandemi, më në fund u mblodh sesioni i OKB-së. Pse ky sesion konsiderohet i veçantë, shumë i rëndësishëm në këto 3 dekadat e fundit?

Blendi Fevziu: E para sepse vjen pas 2 viteve kur ka qenë i paplotë sesioni për arsye të pandemisë. Nga ana tjetër, për faktin që është sesioni i parë pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Thuajse në 30 vitet e fundit ka një lloj çoroditje gjeopolitike e cila pritet të diskutohet këtu. Vendet anëtare të aleancës perëndimore të NATO-s janë mbledhur vazhdimisht që nga agresioni rus në Ukrainë, por është hera e parë që përballja do të ketë të gjithë personazhet që mbajnë peshat gjeopolitike botërore. Dhe në këto momente po mbahet një mbledhje e Këshillit të Sigurimit ku për herë të parë po përballet Sekretari Amerikan i Shtetit Blinken me ministrin e Jashtëm rus Lavrov. Të dy këta nuk janë ulur bashkë që nga koha e fillimit të luftës në Ukrainë, kështu që është hera e parë që Këshilli i Sigurimit në nivel të ministrave të Jashtëm është duke zhvilluar një takim tani. Problematika kryesore e këtij sesioni mbetet gjeopolitika. Deri tani është thënë që OKB ka funksionuar mbi bazën e Kartës së saj, ndërsa kjo Kartë është shkelur me agresionin rus kur një vend dhe aq më tepër anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB ka shkelur Kartën e OKB dhe të drejtat legjitime duke sulmuar një vend tjetër, duke vënë në pikëpyetje gjithë mënyrën e funksionimit të OKB. Nga informacionet që kam mbledhur unë deri tani, OKB do fokusohet në 3 gjëra. Dje ka qenë fjalimi i Presidentit të SHBA Joe Biden, ka qenë dhe fjalimi i Presidentit të Iranit, i cili në fakt nuk e ka përmendur Shqipërinë, por ka ruajtur linjën që Irani mban vazhdimisht në këtë drejtim. Ndërsa Biden është fokusuar në 3 problematike; në problematikën e Ukrainës që ka mbajtur rreth 30% të fjalimit të Joe Biden; tek siguria ushqimore në botë që është kërcënuar shumë edhe nga lufta në Ukrainë por edhe nga problematika e ndryshimit të klimës. Të treja këto bashkë kanë qenë boshti i qëndrimit të Presidentit të SHBA. Ajo që zhvillohet nën vëzhgim në OKB ka dhe një pjesë tjetër, të takimeve dypalëshe, të negocimeve të drejtpërdrejta për të cilat nuk kam ndonjë informacion, por është hera e parë që edhe vendet që janë kundërshtare të forta të pushtimit të Ukrainës, dhe vendet që kanë qenë neutrale ndaj agresionit rus dhe shumë pak vende që i kanë dhënë një lloj mbështetje Rusisë janë të gjitha bashkë në këtë seancë të parë që nga sulmi ndaj Ukrainës.

Reis Çiço: Shqipëria vjen në këtë sesion si anëtare e Këshillit të Sigurimit bashkëpenëmbajtëse me SHBA. Dihet që ne e kemi dënuar pushtimin e Ukrainës. Çfarë shqetësimi tjetër ka Shqipëria në këtë kontekst?

Blendi Fevziu: Nuk kam shumë informacione se çfarë do ngrejë delegacion shqiptar deri tani sepse nuk kam pasur kontakte këtë moment. Po mundohem të marr disa informacione. Në darkë do të kem një intervistë me Kryeministri Rama. Deri tani unë di që delegacioni shqiptar, me aq sa kam informacion, ka bërë takimet e tij rutinë.

Reis Çiço: Sonte emisioni do t’i kushtohet intervistës që do të keni me Kryeministrin, cilat janë temat kryesore që do të prekni në pyetjet që do t’i bëni atij?

Blendi Fevziu: Pjesa e kryesore e emisionit do të fokusohet tek problematika gjeopolitike, tek qëndrimi i Shqipërisë në raport me Iranin, tek kërcënimi iranian që vjen si në formën kibernetike edhe në hipotezat e mundshme të një akti terrorist apo jo. Tek problematika e ngritur së fundmi nga SHBA për financimet ruse dhe çfarë informacioni ka ekstra Shqipëria. Ky do jetë korpusi kryesor i problematikave që do prek. Por natyrisht do prek dhe problematika të mprehta që lidhen me zhvillimet e brendshme. Do pyes për çmimin e energjisë, për largimin e drejtorit të policisë Gledis Nano, për problematikën që lidhen me krimin e organizuar në Shqipëri. Por kryesisht do fokusohem tek këto tema që kanë lidhje dhe me sesionin e OKB dhe në përqasjen gjeopolitike të Shqipërisë. /tvklan.al