U bë pengesë për hapjen e negociatave për Tiranën e Shkupin

Me 170 vota pro, 37 kundër dhe 21 abstenim, Parlamenti bullgar votoi për heqjen VETO-s ndaj Maqedonisë, duke pranuar kushtet e propozuara nga presidenti i Francës, Emanuel Makron.

Asambleja e Përgjithshme autorizon kryeministrin në detyrë Kiril Petkov që ta heqë veton për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut sa i përket procesit të negociatave me BE-në.

Pas këtij vendimi, dy vendet duhet të nënshkruajnë një protokoll bilateral.

Por Iniciuesi i propozimit në Parlament, deputeti Hristo Ivanov i Partisë GERB te ish-Kryeminstrit Borisov shpregoi se tani Maqedonia e Veriut do të duhet të ndryshojë kushtetutën. Përndryshe, negociatat nuk hapen sërish.

“Bullgaria nuk e heq veton, Bullgari forcon veton. Për shembull tani në Shkup flitet se nuk do ta ndryshojnë Kushtetutën, nëse këtë nuk e bëjnë nuk do të ketë negociata dhe kjo bëhet e qartë nga propozimi francez”

Sipas propozimit francez, Maqedonia e Veriut duhet të konfirmojë para OKB-së se nuk ka pretendime territoriale ndaj Bullgarisë, se do ta përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutë, do t’i rehabilitojë viktimat nga komunizmi jugosllav dhe do të harmonizojë tekstet shkollore në përputhje me punën e komisioneve të historisë.

Gjithashtu parashikohet heqjae të gjitha tabelave që përhapin gjuhën e urrejtjes ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë, ndërsa dy vendet do të dërgojnë qëndrime të njëanshme lidhur me pozicionet e tyre për gjuhën maqedonase. “Topi” mbetet në fushën e Shkupit për të vendosur nëse do t’i pranojë ose jo kushtet, në këmbim të hapjes së negociatave. Shqipëria e ka bërë të qarte se nëse mosmarrëveshjet mes dy vendeve vijojnë, ajo do të shkëputet nga procesi i kërkimit të hapjes se negociatave bashkë me Maqedoninë e Veriut.

Tv Klan