Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasbourg kanë dhënë vlerësimet e tyre për zgjedhjet e 25 Prillit. Në raport, ata theksojnë se procesi zgjedhor është zhvilluar i qetë.

Ata shprehen se zgjedhjet ishin të organizuara mirë nga administrata zgjedhore, si dhe administrata në të gjitha nivelet gëzonte besimin e palëve të interesuara. Në lidhje me regjistrimin e kandidatëve dhe partive, ata shprehen se procesi ishte gjithëpërfshirës.

“Procedurat ishin në përgjithësi të ndjekura, por votuesit ndonjëherë nuk e hiqnin maskën e tyre të fytyrës për qëllim të identifikimit, dhe procedura e bojës në gisht nuk u respektua në mënyrë rigoroze. Masat parandaluese Covid-19 nuk janë zbatuar mirë dhe distancimi shoqëror nuk është respektuar gjithmonë. Sekreti i votës u respektua. Mbipopullimi përfaqësonte një problem në disa qendra votimi të vizituara nga ekipet e PACE”, thuhet në raport.

Delegacioni i Asamblesë shprehu shqetësimin e tij në lidhje me pretendimet për blerjen e votave nga partitë politike të cilat ishin të përhapura gjatë fushatës.

Delegacioni vuri në dukje se një numër hetimesh u hapën për këtë, prandaj pret që autoritetet përkatëse shqiptare të marrin masat e duhura nga hetimet dhe të informohen për rezultatet në kohën e duhur./tvklan.al