Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet për asfaltimin e rrugës “Jashar Erebara” në Njësinë 8. Sipas Veliajt, falë investimeve të bashkisë, edhe në këtë zonë është rritur vlera e pronës, por për të patur një zhvillim në çdo cep të qytetit duhet që punët të mos pengohen nga politika.

“Kështu sigurohemi që shkolla “Sevasti Qiriazi” dhe “Kiço Blushi” nuk ngelen vetëm një ishull i urbanizuar, por urbanizohet e gjithë zona. Në qoftë se më përpara thoshin: ‘Jo, po, këta janë tanët. Këta s’janë tanët’, të gjithë janë tanët! Fëmijët nuk kanë as parti, as bindje politike, as nuk votojnë. Për hir të tyre lipset që Tirana të jetë bashkë dhe punët të mos pengohen”.

Gjatë të shtunës kryebashkiaku Veliaj priti ekipin e volejbollit të meshkujve klubi sportive  Tirana, të cilët fituan Kupën e Shqipërisë për sezonin 2022-2023.

“Askush nuk bën skuadër, po s’pati vullnet të bëjë skuadër. Fakti që skuadra krijohet kur secili lë pak nga vetja, për të mirën e përbashkët, është vërtetë histori e suksesit. Është një krenari e jashtëzakonshme të jemi më të mirët e Shqipërisë! Unë besoj fort se do të kemi një paraqitje dinjitoze”.

Veliaj ftoi prindërit që të angazhojnë fëmijët e tyre në aktivitete sportive, sepse vetëm kështu mësohet puna në skuadër.

“Ftesa për të gjithë prindërit është: Sebepin e Qytetit Europian i Sportit, duhet ta kthejmë në një mënyrë për të regjistruar fëmijët në aktivitete sportive. Po të shikosh, edhe te zanati im, ata që janë më zevzekë, ata që janë më gërnjarë, më pengues, kanë një gjë të përbashkët, s’janë marrë kurrë me sport”.

Tv Klan