Policia e Shtetit ka asgjësuar 6065 bimë narkotike kanabis sativa në qarqet Shkodër, Kukës dhe Vlorë në kuadër të operacionit kombëtar “territor i pastër”.
Në fshatin Mazhar të Vlorës, u gjetën 741 bimë narkotike në proces tharjeje. Policia ka identifikuar 4 shtetas (vëllezër), autorë të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve, dhe po punon për kapjen e tyre. Gjithashtu, ka nisur procedimi penal për kryeplakun e fshatit Mazhar dhe për inspektorin e pyjeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
Në fshatin Zahrisht të Hasit u gjetën 1570 bimë narkotike. Për këtë rast janë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit dhe për inspektorin e pyjeve, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Në Shkodër, në Postribë dhe Toplanë u gjetën 3754 bimë narkotike.
Strukturat hetimore të drejtorive vendore të Policisë Vlorë, Shkodër dhe Kukës, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, vijojnë punën për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike. /tvklan.al