Kuvendi miraton propozimet e qeverisë për të ndëshkuar shkelësit e rregullave të qarkullimit

Kuvendi ka miratuar kodin e ri rrugor që synon të ulë numrin e aksidenteve dhe ashpërson ndëshkimet për shkelësit e rregullave të qarkullimit. Disa nga ndryshimet që janë bërë konsistojnë në rritjen e gjobave për tejkalim shpejtësie, drejtimin e makinës në gjendje të dehur apo përdorimin e telefonit në timon.

“Ashpërsohen masat për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, kryesisht për drejtimin e automjetit pas përdorimit të alkoolit, për përdorimin e alkoolit dhe drejtimit në mbrëmje, fundjava, për përdorimin e celularit ose shkelje të përsëritura”, u shpreh Vasilika Hysi.

Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, i hapet rruga rifillimit të procesit të kolaudimit, ku për mjete e përdorura do të kryhet një herë në dy vite, ndërsa për mjetet e reja që hyjnë për herë të parë në vend do të kryhet pas 3 vitesh.

“Synon të ripërcaktojë afatet dhe frekuencën e kryerjes së kontrolleve teknike të mjeteve, kur janë mjete të reja ose të përdorura”, tha Hysi.

Gjatë diskutimeve në parlament deputeti Myslym Murrizi, propozoi që të falën gjobat e marra gjatë pandemisë për shoferët që nuk respektuan orën policore.

“Ftoj mazhorancën të merrte një nismë për t’i falur të gjitha gjobat e marra gjatë pandemisë dhe për të kthyer lejet e drejtimit që janë penalizuar shoferët”, theksoi Murrizi.

Sanksionet e reja ndaj drejtuesve të mjeteve do të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare.

Klan News