Bashkimi Europian ka miratuar rregulla të ashpra për sigurinë rrugore. Sipas këtyre rregullave, automjetet do të jenë të pajisura me kufizues shpejtësie. Këto rregulla do të hyjnë në fuqi nga viti 2022 dhe automjetet e reja do të duhet të përshtaten me këtë teknologji.

Kjo nënkupton që makinat do të ketë një sistem që do të kufizojë shpejtësinë e mjetit nëse tejkalohet limiti që parashikohet në çdo aks rrugor. Kjo do të realizohet përmes GPS, nga e cila sistemi i instaluar në automjete do të marrë të dhënat për shpejtësinë e lejuar në të gjitha rrugët. Nëse shoferi tejkalon limitin e shpejtësisë, mjeti do të ulë automatikisht shpejtësinë dhe nuk do të lejojë rritjen e saj.

Megjithatë, shoferët do të jenë në gjendje që të anashkalojnë këtë sistem sigurie, duke shkelur gazin deri në fund në rastet e parakalimit. Më pas, sistemi do të korrigjojë automatikisht shpejtësinë sipas normës së lejuar. Po kështu, një tjetër sistem që do të instalohet në makinat e reja sipas rregullave të BE, do të jetë sensori për alkoolin. Ky sensor do të perceptojë nga frymëmarrja e shoferit nëse është në gjendje të dehur ose jo. Nëse rezulton pozitiv, atëherë mjeti nuk do të ndizet.

Këshilli Evropian për Sigurinë dhe Transportin tha se ky sistem i quajtur ISA (Asistenca Inteligjente e Shpejtësisë), duhet të ketë opsionin “on/off”, pra për ta aktivizuar ose çaktivizuar. Megjithatë, është parashikuar që sa herë makina të ndizet, ISA do të jetë aktive automatikisht. Ky sistem do t’i japë sinjale shoferit duke e paralajmëruar që të ulë shpejtësinë kur është duke thyer ligjin. Nëse drejtuesi i mjetit vijon të udhëtojë mbi limitin e shpejtësisë, atëherë sistemi ISA do të lëshojë një alarm dhe do të shfaqë një paralajmërim në ekranin e kroskotit deri sa automjeti të ecë në përputhje me kufirin e lejuar të shpejtësisë. Bashkimi Europian beson se këto rregulla do të ndihmojnë në uljen e numrit të aksidenteve rrugore.

Marka suedeze e automjeteve, Volvo, ka paralajmëruar se në makinat e saj që do të nxjerrë në qarkullim nga fillimi i vitit 2020, do të instalojë kamera brenda kabinës për të monitoruar nëse shoferi është i përgjumur apo i dehur. Në një rast të tillë, automjeti do të ndalojë automatikisht.

/tvklan.al