E di kush është menaxheri më i mirë i parave të tua? Ti. A e di se çfarë pajisje “jashtëtokësore” të duhet për këtë gjë? Vetëm celulari yt. Po, po. Me disa prekje në ekran, mund të kontrollosh gjendjen e llogarisë tënde, të aplikosh për një kredi ose të paguash faturat, të gjitha pa dalë nga shtëpia.

Ditët e pirgjeve të rënda me dokumente po marrin fund dheështë koha për të përqafuar të ardhmen digjitale të shërbimeve financiare. Kur procedurat janë digjitale, ato lënë një gjurmë të qartë në sistem që mund të gjurmohet dhe verifikohet lehtësisht, duke reduktuar rrezikun e mashtrimit dhe gabimit. 

Shërbimet financiare digjitale sjellin një nivel transparence dhe aksesueshmërie që sistemet e bazuara në letër, thjesht nukmund ta arrijnë. Kur të gjitha informacionet e tua financiare janë të disponueshme në majë të gishtave, mund të marrësh vendime më të informuara dhe të qëndrosh në kontrollin e financave të tua. 

Me rritjen e shërbimeve financiare digjitale, koha e letrave, ikjes nëpër degë dhe pritjet me orë të tëra kanë marrë fund dhesot celulari ynë shërben si banka jonë. Kjo, jo vetëm që kursen kohë, por gjithashtu siguron që të gjithë, pavarësisht nëse ndodhen në qytet apo fshat, në mal apo fushë, në zyrë apo në rrugë, të kenë akses në shërbimet bazë financiare.

Ky nivel aksesi është veçanërisht i rëndësishëm kur nuk ke “miq” për të nxjerrë vërtetime e dokumente, apo kur s’ke kohë pasanikësh dhe çdo minutë të kushton shumë sepse të duhet të marrësh leje nga puna. Kjo mesa duket, nuk është diçka që Banka e Shqipërisë e ka marrë në konsideratë, sepse me rregulloren e saj të re, ajo pritet të rikthejë pikërisht makthin e mijëra e miliona shqiptarëve: dokumentet dhe vërtetimet.

Tashmë, edhe për 5000 Lekë hua, do të duhet të bësh gati një“mullar” me dokumentacione të ndryshme. Pasi të presësh në radhë për t’i marrë, do duhet të presësh në radhë për t’i dorëzuar. Kjo rregullore e re nga BSH pritet të rikthejë epokën e letrave, rradhëve në privat e shtet dhe një jetë më të vështirë për njerëzit më në nevojë. 

Me regjistrat e informacioneve akoma të mbyllura dhe informacionet e adresave dhe pagave të padigjitalizuara, marrja e këtyre informacioneve do të kthehet në një akrobaci burokratike. Dikush ta lajmërojë Bankën e Shqipërisë se e gjithë bota e përparuar po lëviz drejt një sistemi financiar plotësisht digjital, dhe do ishte mire ta ndiqnim edhe ne.

Ky kalim drejt digjitalizimit nuk është vetëm një trend; është një evolucion i domosdoshëm që do të çojë në një sistem financiar më gjithë përfshirës dhe më të drejtë.