Rritje e lehtë e infektimeve gjatë Korrikut

Prej një muaji asnjë person në Shqipëri nuk ka humbur jetën nga koronavirusi. Numri total i viktimave prej nisjes së pandemisë mbetet në 2,456, ndërsa referuar autoriteteve shëndetësore viktima e fundit u shënua në 26 Qershor.

Po ndërkohë infektimet e reja nga Covid-19 patën një rritje të ndjeshme edhe në javën e tretë të Korrikut. Në periudhën 19  deri 25 Korrik numri i infektimeve ditore arriti totalin e 167 personave, 43 prej të cilëve u konfirmuan vetëm te martën e 20 Korrikut.

Për shkak të numrit të pakët të personave të shëruar, bie në sy edhe rritja e rasteve aktive. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë aktualisht janë 272 persona të infektuar aktiv në 11 qarqe të vendit, prej të cilëve 8 ndodhen në spitalin Infektiv për një trajtim mjekësor më të specializuar.

Të vetmi qark që nuk kanë asnjë të infektuar aktiv ne territorin e tij është Dibra. Edhe pse ende i pakonfirmuar zyrtarisht, ekspertët e institutit të shëndetit publik ia atribuojnë rritjen e rasteve, dyshimeve të qarkullimit të variantit Delta i cili përhapet shumë më shpejt dhe që prek kryesisht të rinjtë.

Tv Klan