Bislimi: S’ka arsye për një takim Kurti – Vuçiç, këtë muaj

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën asnjë marrëveshje për çështjet e shtruara në raundin e bisedimeve teknike që u zhvillua këtë të Mërkurë në Bruksel. Në këto kushte për kreun e ekipit teknik të palës kosovare, zv/kryeministri Besnik Bislimi nuk ka arsye për të organizuar takimin e nivelit të lartë të dialogut, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, këtë muaj.

“Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”.

Gjatë takimit palët kanë diskutuar me BE-në për temën e të pagjeturve, energjetikës, targave të automjeteve por dhe për vizitat zyrtare. Prishtina i ndaloi javën e kaluar, hyrjen në territorin e vendit, shefit të delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviç për shkak të “deklaratave provokuese” që ka bërë ai gjatë tri vizitave të fundit.

Delegacioni i Serbisë, ka insistuar që të diskutohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për Marrëveshjen për drejtësi, atë të vizitave zyrtare dhe për çështjen e të zhdukurve.

Takimi i fundit në nivelin e lartë është zhvilluar më 19 korrik, por ai nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret.

Tv Klan